Grabitësit marrin peng një 26-vjeçar

Nga të dhënat e mbledhura deri dje, Përparim Gashi është nisur për të emigruar në Itali dhe është mashtruar nga një femër, e cila mund të jetë pjesëmarrëse në pengmarrje, që mendohet të jetë kryer për grabitjen e tij.
Policia ka mundur të kontaktojë në telefon me 26-vjeçarin, por më pas janë shkëputur lidhjet dhe nuk dihet se ku mund të jetë, ndërkohë që vazhdon puna për gjetjen e tij.
Burime të besueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se alarmi për këtë pengmarrje është dhënë para dy netësh, pak para mesnate.
Komisariati i Kukësit thotë se është njoftuar rreth orës 23:00 nga Rakip Matmuja, se nipi i tij, Përparim Gashi, është marrë peng në Vlorë.
Matmuja, i cili është daja i 26-vjeçarit, ka sqaruar për policinë se nipi i tij ishte nisur për të emigruar ilegalisht në Itali, pa dijeninë e prindërve të tij.
Por, Përparim Gashi ka marrë në telefon dajën dhe ka sqaruar se e kishin marrë peng. Sipas denoncimit, ai ka treguar se te porti i Vlorës është takuar me një femër.
Duke e mashtruar se do ikte bashkë me të, ajo e ka manipuluar 26-vjeçarin dhe i ka mbushur mendjen të hipte në një furgon malli me ngjyrë të bardhë.
Më pas, në furgon ka vënë re se ndodheshin katër persona, të cilët e kanë keqtrajtuar. Në bisedë me dajën, pengu ka rrëfyer se rreth mesditës e kanë çuar në spital dhe pas një mjekimi, i kanë treguar se e kanë marrë peng, duke e çuar disa kilometra larg Vlorës.
Atje e kanë futur në bodrumin e një banese private, ku ndodhej edhe në momentin që ka folur me dajën e tij. Pasi policia e Kukësit ka dëgjuar gjithë variantin e Rakip Matmujës, ka njoftuar policinë e Vlorës, e cila është vënë në lëvizje për gjetjen e këtij personi.