E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimi mbi pagë, 26 miliardë lekë

Nuk ka asnjë dyshim. Taksa e sheshtë që u aplikuar për herë të parë në janar 2008, do të jetë burimi kryesor i të ardhurave për qeverinë.

I vendosur si masë lehtësuese për biznesin, “taksa e sheshtë” prej 10 për qind do të sigurojë miliarda lekë të ardhura për arkën e shtetit.

 Nëse tatimi mbi fitimin nuk po jep efektet e duhura, Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP-i), po fryn gjithnjë e më shumë buxhetin e shtetit, i cili për vitin 2009, nga kjo taksë do të sigurojë plot 26 miliardë lekë.

Taksa në fjalë aplikohet për pagat, si në sektorin privat, ashtu dhe në atë shtetëror, duke u nisur nga niveli referencë i vendosur nga Ministria e Financave, në shtator të 2007.

Vetëm për pjesën e dytë të vitit 2008, Ministria e Financave parashikon rritjen e të ardhurave nga taksa në masën e 7 miliardë lekë.

Këtë sukses, qeveria ia dedikon strategjisë së ndjekur nga Ministria e Financave, e cila aplikoi taksën 10 për qind mbi paga, duke sjellë rritje të të ardhurave në masën e 65 për qind.

“Nga pikëpamja administrative impakt të konsiderueshëm ka pasur vendosja e pagave referuese për sektorin privat për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe kanalizimi i pagave në sistemin bankar”, thuhet në relacionin që shoqëron projektbuxhetin 2009, përgatitur nga Ministria e Financave.

TAP-i

Dështimet nga arkëtimi i tatim-fitimit po balancohen nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale. Të dyja taksat, të unifikuara në masën 10 për qind, po konsiderohen si dy anët e një medaljeje për qeverinë “Berisha”.

Ndërsa tatim-fitimi rezulton me humbje për arkën e shtetit (krahasuar me 2007, si 8-mujor është minus 1,7 miliardë lekë), TAP-i ka rezultuar një sukses më vete.

Një pjesë e të ardhurave nga kjo taksë sigurohet nga pagat e buxhetorëve, madje për vitin 2008, rritja rezultoi 48 për qind ose 10 për qind më shumë, nga të ardhurat që kishin krijuar tatimet nga pagat në sektorin privat.

Për vitin 2009, të ardhurat nga TAP-i parashikohen në pak më shumë se 26 miliardë lekë, duke zënë 2.2 të PBB-së, nga 1.5 për qind që ishte në 2006.  

TVSH-ja

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një tjetër taksë që i siguron buxhetit të shtetit deri në 100 miliardë lekë të ardhura, duke zënë peshën kryesore në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Për vitin 2009, në projektbuxhet është parashikuar që nga kjo taksë do të vilen rreth 117 miliardë lekë, ndërsa deri në vitin 2011 parashikohet një masë prej 145 miliardë lekë.

Politika e qeverisë ndaj kësaj takse do të mbetet e pandryshuar, duke e lënë shkallën e aplikimit të saj në 20 për qind

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›