E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjegjore, LSI sot protesta para OSBE-së

Nga Darina Tanushi
LSI do të protestojë sot, në mesditë për mbrojtjen e votës. Fillimisht do mbahet Konventa e Jashtëzakonshme, në Pallatin e Kongreseve, dhe më pas të gjithë të pranishmit do të nisen drejt zyrave të OSBE-së. 

TIRANE- Nëpërmjet parrullave ata do t'i kërkojnë këtij misioni që "të ruajë votën e shqiptarëve". Anëtarët e LSI-së do t'i tregojnë OSBE që posti në KQZ i takon asaj. Burimet nga kjo parti bëjnë të ditur se pas kësaj proteste, LSI do të intensifikojnë protestat deri me bllokim të Kuvendit.
PERPLASJA
Një vend në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka ndezur debatet mes partive të majta. Përfaqësues të dy partive pretendente për këtë pozicion në KQZ, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi dhe deputetit i LSI-së Dritan Prifti, kanë shkëmbyer dje deklarata jo të drejtpërdrejta mes tyre. Gjinushi, në prononcimin e tij për median la të kuptohej se PSD-ja ia ka falur një herë LSI-së vendin në KQZ, gjë që nuk do ta bëjë në rastin e kompozimit të KQZ-së së re. Ndërsa Prifti i LSI-së, ia delegon fajin dy krerëve të partive të mëdha, Ramës dhe Berishës, që sipas tij po mendojnë mënjanimin e LSI-së. "Neve na takonte anëtari i KQZ-së sipas formulimeve të mëparshme. E toleruam këtë gjë dhe e lamë në favor të LSI-së. Na dëmtoi kjo gjë pjesërisht, sepse po ai anëtar ka dalë edhe kundër nesh në dobi të manipulimeve", - ka kujtuar Gjinushi historinë e pak kohëve më parë. Sipas tij, "përbërja e komisioneve gjithnjë duhet parë në raportin pozitë-opozitë dhe në atë që sa komisionet do jenë efektive, pra si të jetë i kontrollueshëm ky proces pune i këtij komisioni, ose e këtyre komisionerëve". "Pastaj, kush e sheh që po nuk pata unë anëtar, mund të shkojmë deri në barrikada, atëherë kjo do të thotë që paragjykon procesin, pra pranon që zgjedhjet do manipulohen dhe hajt tani, kush të përfitojë më shumë nga manipulimi", - nënvizoi kreu i PSD-së. Nga ana tjetër, nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti tha se "LSI-ja denoncon fort dhe njëherë përpjekjen tinëzare, joparimore, arrogante, të dhunshme dhe përjashtuese të PD-PS për të monopolizuar administrimin e votave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare". Ai tha se "formulat tinëzare të ndarjes së KQZ apo komisioneve të qendrave të votimit apo numërimit, që nuk garantojnë gjithëpërfshirje, demokraci dhe liri të votës, por kanë qëllim diskriminimin e padrejtë dhe mafioz të LSI-së, si kundërshtarja kryesore e dy partive të vjetra PS-PD, nuk do të funksionojnë". Prifti sqaroi gjithashtu se "nuk ka asnjë kriter që të përjashtojë LSI-në nga procesi i administrimit të zgjedhjeve të ardhshme. LSI është forca e tretë politike në vend e konfirmuar qartë edhe nga zgjedhjet e fundit të 2007-ës. LSI është forca e vetme politike që nuk u bë palë me procesin e Mega Dushkut në zgjedhjet e vitit 2005, përkundrazi depozitoi në Kuvend një formulë anti-dushk, të cilën për fat të keq, PS-ja nuk e pranoi". Ai tha ndërkaq se LSI-ja nuk do të pranojë në asnjë rrethanë një Kod Zgjedhor të hartuar nga interesa mafioze të përjetësimit të pushtetit nga grupe mafioze brenda PS-PD për interesa ekonomike të jashtëligjshme dhe kundër vullnetit e interesit të Shqipërisë Europiane.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›