E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Sejdiu nis turin në Tiranë

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të fillojë sot vizitën e tij dyditëshe në Shqipëri.

I ftuar nga homologu shqiptar, Bamir Topi, Presidenti Sejdiu do të zhvillojë takime me Presidentin, Kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Në kuadër të vizitës në ditën e dytë, ai do të qëndrojë për vizitë në Shkodër, ku me këtë rast autoritetet bashkiake do ta shpallin Presidentin Sejdiu "Qytetar Nderi".

Vizita e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në Shqipëri është e para që prej shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe njohjes së saj nga Tirana zyrtare.

Bashkëpunim dypalësh, intensifikimi i bashkëpunimit rajonal dhe përfshirja e Kosovës si shtet i ri në këto procese, si dhe procesi i njohjeve të reja, do të jenë temat kryesore që do të diskutohen në axhendën e Presidentit Sejdiu, njoftuan burime pranë Presidencës në Prishtinë.

Presidenti Sejdiu dhe delegacioni që e shoqëron do të zhvillojë bisedime zyrtare me Presidentin Topi në Pallatin e Brigadave.

Gjatë bisedimeve do trajtohen çështje dypalëshe të bashkëpunimit politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor në interes të dy vendeve tona.

Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do të shkëmbejnë mendime edhe për çështje të integrimit euroatlantik të dy vendeve, për bashkëpunimin rajonal, si dhe për perspektivën e të ardhmes së shtetit të ri të Kosovës në nismat rajonale.

 Të dy Presidentët do ndalen edhe në ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës për të shtuar dhe koordinuar më mirë përpjekjet dypalëshe në këtë drejtim. Në ditën e parë të vizitës në Shqipëri, Presidenti Sejdiu do t’u drejtohet me një mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Në ditën e dytë të kësaj vizite, Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do vizitojnë segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës, që do lidhë Shqipërinë me Kosovën.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›