Grabitësit me armë lidhin rojen, vjedhin shkollën private
Tre persona të armatosur janë prezantuar si policë, në portën e një shkolle në Vaqarr. Morën 300 mijë lekë
TIRANË- "Hape portën, jemi policia". Prezantimi i tre grabitësve të armatosur ka bindur lehtësisht rojën e një shkolle jopublike në Tiranë, të hapë portën dhe më pas të gjendet përballë tytës së automatikut. Pasi kanë lidhur rojen, tre personat e maskuar dhe të armatosur kanë vjedhur një sasi parash në arkën e shkollës dhe më pas janë larguar. Gjithçka ka ndodhur pak pas mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme në shkollën jopublikenë Vaqarr të Tiranës, kur tre persona të paidentifikuar kanë hyrë për të vjedhur paratë. Policia është lajmëruar për grabitjen dhe ka mbërritur menjëherë në shkollë për të administruar provat. Burime nga policia thanë se ende nuk janë zbuluar autorët e kësaj ngjarjeje, ndërsa specialistët e seksionit të luftës kundër vjedhjeve me armë po punojnë me intensitet për të identifikuar dhe kapur grabitësit. Dita e sotme ka qenë afati i fundit për nxënësit e një shkolle jopublikeqë ndodhet në Vaqarr të Tiranës, për të dorëzuar paratë mujore. Një fakt i tillë duket se është mësuar nga tre persona, të cilët kanë skenuar një plan për grabitjen e parave. Plani ka startuar pak pas mesnatës, kur tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë mbërritur pranë shkollës. Ata nuk e kanë pasur të vështirë të hyjnë në ambientet e shkollës megjithëse ajo është e rrethuar dhe ka rojë. Prezantimi si punonjës policie ka bindur rojën të hapë portën. E ndërsa priste të shihte policinë, roja ka shtangur i tmerruar kur ka parë tutën e automatikut të drejtuar nga ai. Fillimisht grabitësit kanë izoluar rojen, duke e lidhur dhe më pas hynë në ambientet e brendshme të shkollës drejt e tek arka ku ndodheshin paratë. Pavarësisht se një pjesë e mirë e nxënësve kishin dorëzuar paratë, në arkë ndodhej vetëm një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetra, të cilën autorët e kanë marrë me vete. Burimet policore thanë se autorët dyshohet të kenë planifikuar grabitjen për të fituar një shumë të majme, por kanë gjetur një sasi parash më të vogël nga ajo çka kanë menduar. Pasi kanë marrë shumën e parave që ndodhej në arkë, grabitësit janë larguar menjëherë duke u shpëtuar prangave të policisë. Forca të shumta policie dhe specialistët e seksionit të luftës kundër vjedhjeve me armë mbërritën në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave, si dhe kanë marrë në pyetje rojen. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se tre personat të cilët janë të moshës rreth 25-vjeçare kanë pasur për qëllim vetëm vjedhjen e parave, pasi kompjuterë dhe materiale të tjera që ndodheshin në shkollë nuk janë prekur prej tyre.