E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësit plagosin arkëtaren e OSSH-së

Rezistenca e punonjëses që arkëtonte pagesat e energjisë elektrike i rrezikoi jetën asaj, pasi mbeti e plagosur në krah


Një person me armë tentoi të grabisë arkën e pagesave të energjisë pranë Shkollës së Baletit


TIRANË- Një punonjëse e arkës së OSSH-së mbeti e plagosur dje në mesditë kur një person i dyshuar si grabitës tentoi të hynte në ambientet e arkës për të marrë paratë e grumbulluara nga pagesat e energjisë elektrike.


Ngjarja ndodhi dje pasdite rreth orës, 15.00, në bulevardin "Bajram Curri", gjatë kohës së ndërrimit të turneve, në zyrën e arkëtimeve që ndodhet pranë shkollës së Baletit. Vjollca Tobli, 55 vjeçe, mori një plagë të rëndë në shpatull nga një armë zjarri që sipas policisë dyshohet të ketë qenë një "TT". Krimi dyshohet se ndodhi për shkak të reagimit të punonjëses, në tentativë për të mbrojtur arkën.


Policia konfirmoi dje se dyshohet për një grabitje, e cila mbeti në tentative, por që përfundoi me plagosjen e një gruaje. Por në lidhje me këtë ngjarje, hetimet e policisë janë përqendruar edhe në ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur e plagosura dhe autori i dyshuar i ngjarjes.


Autori i ngjarjes, pasi i është afruar filialit nr.1, hyri në filial duke kërcënuar punonjëset për të dorëzuar shumën e parave që gjendeshin në arkë. Por kur njëra nga punonjëset, Vjollca Todli, ka rezistuar, autori i grabitjes së mbetur në tentativë ka qëlluar ndaj saj me armë zjarri pistoletë, duke e lënë të plagosur.


Por gjatë këtyre momenteve, autori nuk është larguar dhe ka vazhduar kërcënimet ndaj punonjësve të tjerë që të dorëzonin lekët që kishin në arkë nga mbledhja e faturave gjatë ditës.


Në momentin, kur në filial kanë mbërritur disa klientë, personi që realizoi plagosjen, është detyruar të largohet, ndërsa arkëtarja mbeti e plagosur. Pas ngjarjes,ajo u dërgua në spitalin ushtarak, për të marrë ndihmën mjekësore. Aty ajo i është nënshtuar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe tashmë ndodhet jashtë.


Nga hetimet paraprake të Policisë së Tiranës, autori mund të jetë i njëjti person, që ka tentuar ta grabisë këtë filial edhe dy javë më parë. Edhe në këtë rast, autori që dyshohet të ketë plagosur arkëtaren është larguar, pasi në ambientet e filialit kanë hyrë qytetarët për të bërë pagesat e faturave elektrike. Në vendin e ngjarjes, mbërritën dje forca të policisë së komisariatit nr.1 dhe oficerët e hetimit të vrasjes në policinë e kryeqytetit.


Policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes me një të plagosur. Ndërkohë pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, policia ka marrë në pyetje të plagosurën. Kjo e fundit ka rrëfyer para oficerëve të policisë gjithë skemën e ngjarjes. Në pyetje janë marrë edhe persona të tjerë që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes.

OSSH: Ngjarja, sulm ndaj biznesit

Pas plagosjes së ndodhur dje, ka reaguar edhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, duke e dënuar ashpër sulmin me armë ndaj punonjëses së kësaj kompanie. "I dënojmë akte të tilla dhe u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të bëjnë maksimumin e tyre në gjetjen e autoreve. Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që punonjësit sulmohen nga persona me sjellje kriminale.


Ne i shohim këto akte jo vetëm si sulme kundër punonjësve tanë, por edhe si sulme ndaj investitorëve të huaj ne vend",- thuhet në reagimin zyrtar të OSSH-së. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pohoi dje se po punohet për të rritur cilësinë e punonjësve që shërbejnë në njësi të ndryshme në kryeqytet, duke i bërë thirrje dhe forcave të rendit që të jenë në mbështetje të tyre për të shmangur çdo ngjarje kriminale.


Javën e kaluar u grabit drejtori grek i një kompanie të madhe

Në fundjavën që kaloi, në periferi të Tiranës u shënuan dy grabitje. Persona të armatosur sulmuan një automjet në afërsi të fshatit Krrabë, të dielën që kaloi, në segmentin rrugor Elbasan Tiranë, ndërsa grabitja tjetër ndodhi në Vorë, kur persona të paidentifikuar dhe të maskuar sulmuan një karburant duke marrë që andej sende dhe para.


Pre e grabitësve në Qafë-Kërrabë ra një përfaqësues i një filiali të një shoqërie të telefonisë celulare në Shqipëri. Grabitësit pasi kanë ndaluar shoferin, e kanë grabitur atë me dhunë duke i marrë disa nga sendet personale që kishte me vete bashkë me një sasi të konsiderueshme parash.


Ndërsa grabitja tjetër ka ndodhur në Vorë, në një karburant përgjatë segmentit të autostradës dhe autorët e ngjarjes nuk janë identifikuar nga policia. Vetëm tre ditë më parë, në autostradën Tiranë-Durrës u grabit filiali i një banke. Dy persona, pasi kanë hyrë si klientë në ambientet e bankës, duke kërcënuar me armë punonjësen grabitën rreth 500 mijë lekë të vjetra.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›