Antha, 13-vjeçarja luan me orkestrën e RTSH-së

Orkestra e harqeve e Radio-Televizionit Shqiptar sonte me premierën "Military March" e Shubertit. Në koncert, pianistja e vogël, Antha Mitrushi sjell Haydn
Pianistja Antha Mitrushi, 13 vjeçe, luan sonte në Akademinë e Arteve një koncert të Haydnit me Orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar. Nuk është rast i zakontë për të voglën Antha, asnjëherë e shoqëruar nga kaq shumë profesionistë.
Dy pjesë, "Marshi ushtarak" i Shubertit dhe "Humoreskë" e Çajkovskit, Orkestra e Harqeve e RTSH-së i luan premierë, plus "Serenade for String Orchestra" të Edëard Elgarit dhe "Libertango" të Piazzollas. Nga repertori i muzikës klasike shqiptare janë zgjedhur "Moto Perpetuo" e Vladimir Kotanit dhe "Skerzo" e Liman Malokut. Dirigjon orkestrën Oleg Arapi.
Antha është ulur në piano 6 vjeçe. Nuk ka lindur në familje muzikantësh. Prindërit e saj, nëna ekonomiste dhe babai inxhinier elektrik, iu drejtuan mësueses së pianos Zana Pirdeni për të kuptuar herët pasionin e saj. Pirdeni e ka ndjekur për 7 vjet në shkollën e muzikës "Servete Maçi" dhe tani vazhdon t'i japë mësim 5 orë në ditë.
Koncertin e parë në Teatrin e Operës për festat e fundvitit, Antha e ka të freskët në kujtesë, ashtu si edhe veshjen e asaj dite, këmishën e bardhë dhe sarafanin e zi me katrorë të kuq. Nuk ka më si ato kohë për Anthën, kur nuk kishte frikë në skenë, as këmbët i dridheshin, as gjuha i thahej, e as duart i djersiteshin.
Trofeu i parë erdhi shpejt. Në maj të 2006-ës, në klasën të dytë, mori çmimin special në konkursin ndërkombëtar "Këngët e Tokës", çmim që e arriti edhe një vit më vonë.
Aktiviteti i saj i zemrës u bë Festivali Kombëtar "Epta", ku për katër vite është vlerësuar me çmime të para.
Në maj 2009 ka marrë çmimin e karrierës! Nga "Epta" tani ka ngelur vetëm çmimi "Lola Gjoka", për të cilin ajo po punon. Pianistja ka luajtur sonata, sonatina, etyde, minuete, fuga, prelude, romanza, vepra të autorëve shqiptarë Tish Daija, Limos Dizdari, Tonin Harapi, Endri Sina dhe të huajve Haydn dhe Beethoven.
Pjesët shqiptare i duken më të lehta për t'u ekzekutuar, ndryshe nga një Haydn, apo Beethoven, veprat e cilëve, kërkojnë me shumë përqendrim, forcë, përgatitje dhe kujdes, punë për të mbajtur ritmin".
"Janë pjesë që kërkojnë kohë, që të tregojnë me të vërtetë cilësitë e mia si pianiste dhe janë shumë të forta për t'u studiuar", thotë ajo.
Mësuesit vlerësojnë tek Antha muzikalitetin, ndjeshmërinë dhe teknikën. Vetë asaj i pëlqen liria për të thënë diçka nga vetja nëpërmjet pianos. "Aty shpreh veten time ashtu siç jam dhe them atë që ndjej", tregon Antha me një fytyrë të çiltër.
E vetmja që gjë nga e cila e privojnë orët e gjata në shkollë dhe studimi, është interneti dhe më pak shëtitjet dhe pushimet, që mezi i pret. Në internet lexon për jetën e kompozitorëve, sheh koncerte të pianistëve në "youtube".
Nga gjithë kompozitorët, përshtypje i bën Beethoveni dhe përkushtimi i madh për pianon. "Edhe i shurdhët shkroi Simfoninë e Nëntë, kështu që për mua jeta e tij është frymëzuese". Pjesën tjetër të kohës, Antha lexon ç'i këshillon i ati.
Tani ka në duar "Tre shokët" e Remarkut. Megjithatë, e vetmja gjë që e shqetëson tani për tani është prova e parë me Orkestrën e RTSH-së, ku nuk i lejon vetes të bëjë gabime.