Përfundon në pranga ish-kryebashkiaku i Divjakës
PRONAT/ Policia ka arrestuar dje në Kolonjë të Lushnjës Avni Koçin, i cili është dënuar me 8 muaj burg nga Apeli i Vlorës
DIVJAKË - Ish-kryetari i Bashkisë së Divjakës është vënë në pranga mesditën e së mërkurës ndërsa ka qenë i pranishëm në një mbledhje të sektorit të bujqësisë në komunën Kolonjë të rrethit Lushnjë.
Arrestimi i Avni Koçit u bë për arsye se ai është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Apelit të Vlorës, pasi është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale të "falsifikimit të dokumentacioneve", parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Akuzat
Avni Koçi ka qenë kryetar bashkie i Divjakës gjatë periudhës 2001 - 2004 dhe gjatë kësaj kohe ai ka kryer një sërë falsifikimesh në dokumentacione pronësie, të cilat janë zbuluar dhe vërtetuar prej organit të akuzës.
Avni Koçi nga burimet zyrtare të prokurorisë mësohet se në bashkëpunim edhe me një person tjetër kanë kryer më shumë se një herë falsifikime dokumentesh pronësie duke tjetërsuar pronat. Ka qenë pikërisht nisma e të dëmtuarve ajo që ka çuar nën hetim ish-kryetarin e Bashkisë Divjakë dhe më pas në burg.
Nuk bëhen publike detajet e hetimit, por dihet vetëm se nga këto falsifikime janë tjetërsuar sipërfaqe të mëdha toke dhe pronash të cilat janë "zhvatur" padrejtësisht.
Hetimi
Kanë qenë plot 6 vjet hetimi ato që kanë çuar në burg ditën e mërkurë Avni Koçin. Menjëherë pas vitit 2004 nisën hetimet e para ndaj veprimtarisë së ish-kreut të bashkisë Divjakë Avni Koçi.
Këto hetime nxorën si bashkëpunëtorë në të gjitha veprimet e jashtëligjshme të falsifikimit të dokumenteve të pronësisë dhe vartëses së tij. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje e mbyll gjykimin e saj në vitin 2008 ku jep vendimin e formës së prerë me 1 vit burg për secilin.
Ky vendim u apelua nga avokatët mbrojtës dhe vetëm pak ditë më parë Apeli lëshon vendimin përfundimtar ku i quan të dy fajtorë dhe bashkëpunëtorë, por ish-kreun e Divjakës e lë 8 muaj në burgm ndërsa vartësin e tij e nxjerr në lirim me kusht.