Grabitësit plagosin arkëtarin e komunës
Shoqërohen 4 vetë
Terror në banesën e Ndoc Markut në Pukë. Tentuan të marrin paratë e pensionistëve
Gjatë tentativës, dy personat e maskuar kanë dhunuar edhe një grua të familjes, por nuk kanë vjedhur asgjë
Sipas policisë, autorët ishin të informuar se arkëtari kishte në banesë rreth 2 milionë lekë të pensioneve
Ardi Hoti
Arkëtari i një komune në Pukë ka mbetur i plagosur rëndë, pasi ka rënë pre e dhunës gjatë një tentative grabitjeje në banesën e tij. Ngjarja e rëndë ka vënë në lëvizje të gjithë policinë e Pukës, e cila ka shoqëruar katër të njohur të personit të dëmtuar, ndërkohë që e dëmtuar lehtë ka mbetur edhe një grua e familjes. Një prej tyre është arrestuar, pasi është kapur me armë pa leje, ndërkohë që policia nuk ka prova implikuese për personat e tjerë. Megjithatë, sipas policisë, personat që tentuan grabitjen, kishin informacion të saktë se arkëtari Ndoc Marku, kishte në shtëpi paratë e pensioneve të banorëve të komunës. Por, ai ka kundërshtuar të tregojë se ku janë paratë, kështu që dy personat e maskuar dhe të armatosur, e kanë goditur me qytën e armës dhe janë larguar pa marrë asgjë.
Grabitja
Burimet policore lokale bënë të ditur se i plagosuri është Ndoc Marku, arkëtar i Komunës Iballë. Sipas të dhënave nga policia e Pukës, para tentativës për grabitje, arkëtari i komunës ka qenë duke pirë me katër persona të tjerë në qendër të fshatit. Ai ka qëndruar rreth një orë e gjysmë në lokal dhe më pas është kthyer në banesë, por sipas të dhënave ka qenë nën efektin e alkoolit. Sapo ka hyrë në banesë, sipas denoncimit të tij, dy persona me maska dhe të armatosur me automatikë, janë futur brenda pas tij. Në fillim, ata janë vënë re nga plaka e shtëpisë, e cila është përleshur me grabitësit. Më pas, grabitësit kanë kërcënuar me armë arkëtarin, duke i kërkuar paratë e komunës që i mbante në shtëpi. Arkëtari nuk ka pranuar të japë paratë dhe është goditur me mjete të forta pas koke, duke u plagosur rëndë. Pas kësaj, grabitësit kanë dalë jashtë, kanë qëlluar me breshëri automatiku dhe janë larguar me shpejtësi.
Sipas policisë së Pukës, arkëtari ka lajmëruar policinë me telefon, duke thënë se i janë grabitur 20 milionë lekë të vjetra, por më pas ka telefonuar sërish duke shpjeguar se grabitësit nuk kanë arritur të marrin paratë. Këto deklarime, sipas policisë janë bërë nga i dëmtuari, pasi ka qenë nën efektin e alkoolit dhe nuk ka qenë i përqendruar në atë se çfarë ka ndodhur.
Po sipas informacioneve të besueshme nga uniformat blu, mësohet se autorët janë njerëz të afërt, ose të njohur të arkëtarit, të cilët kanë pasur informacion se arkëtari kishte një sasi të konsiderueshme parash në shtëpi. Nga deklarimet e të dëmtuarit mësohet se ato ishin paratë e pensioneve të komunës, që do të shpërndaheshin gjatë ditës së djeshme. Policia tha se për këtë ngjarje ka shoqëruar katër personat, me të cilët ka qenë arkëtari para se të shkonte në shtëpi, ndërkohë që njëri prej tyre është arrestuar për armëmbajtje pa leje. Grupi hetimor dyshon se arkëtari mund të ketë treguar për sasinë e parave në shtëpi gjatë konsumimit të alkoolit dhe ata kanë tentuar grabitjen e tij. Nga ana tjetër, policia ka fajësuar edhe arkëtarin, pasi mbajtja e parave në banesë, ka provokuar ngjarjen. Sipas grupit hetimor, paratë duhej të mbaheshin në arkën e komunës.
Grabitësit plagosin arkëtarin e komunës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip