E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet Kadastra e Sarandës

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Zhduket kasaforta e Kadastrës së Sarandës. I gjithë dokumentacioni i pronësisë, që para çlirimit e deri ditët e sotme, nga bregdeti e deri në Konispol, është rrëmbyer gjatë natës duke u gdhirë e shtuna.Autorët, ende misteriozë, nuk e kanë pasur të vështirë jo vetëm të shpërthenin dyert e godinës në lagjen 3 të qytetit, por të nxirrnin prej saj kasafortën 100 kilogramëshe, 1.5 m e gjatë. Sipas përgjegjësit të kadastrës, Taip Madani, brenda saj ndodheshin të gjithë regjistrat e ish-pronarëve, titujt kadastralë, dokumentet e ish-NB-ve, kooperativave, dokumentet e bashkive e komunave, etj. Vetë Madani ka qenë personi që zbuloi grabitjen. Rreth orës 10:00 ai ka lënë spitalin ku po mjekohej dhe ka mbërritur në zyrë, për të zgjidhur problemin e një qytetari. Por, ndonëse hapja e derës kryesore nuk i ka bërë përshtypje, (pasi në të ndodhej dhe drejtoria e bujqësisë e zyra të tjera), kur ka mbërritur para zyrës së tij ka kuptuar se bëhej fjalë për një ngjarje të rëndë. Autorët, (sipas policisë ata janë shumë), pasi kishin shqyer derën kryesore të godinës, kanë bërë të njëjtën gjë me zyrën e kadastrës në katin e dytë, duke përdorur leva e kaçavida. Mendohet se personat kishin dijeni për vendin e kasafortës dhe përmbajtjen e tyre. Hajdutët në zyrë nuk kanë prekur asgjë nga pajisjet që ndodheshin brenda në të, si fotokopje apo mjete të tjera. Sipas Madanit, një ditë më parë ai kishte qenë në zyrë, pasi kishte punuar me një ekip të ardhur nga qarku i Vlorës, të cilët i kanë kërkuar atij informacione për dokumentet e pronësisë dhe trojet e zëna apo të lira në rrethin e Sarandës. Ai tregon se gjithçka e kishte lënë në rregull dhe brenda kasafortës kishte vendosur regjistrat e rëndësishëm, siç bënte gjithmonë, që prej 5 vitesh kur kadastra ishte vendosur këtu. Mes tyre kishte prona jo vetëm të ish-ndërmarrjeve shtetërore, por dhe prona të regjistruara gjatë Reformës Agrare, libra të pronarëve që para çlirimit, shtetëzimet që janë bërë nga shteti vit pas viti, dokumentacioni i komunave apo bashkive të rrethit, etj. Këto dokumente janë të vetmet që provojnë pronësinë e personave, që nga Borshi në Konispol, përfshirë Delvinën dhe Sarandën. Mësohet se të njëjtat materiale ndodhen dhe në Arkivën e Shtetit, por qytetarët do të kenë tashmë tejet të vështirë procesin e sigurimit të një dokumenti për të kërkuar përfitimin apo regjistrimin e pronave. Në kadastrën e Sarandës mësohet se ishin edhe tërë dokumentet, të cilave u janë referuar punonjësit e kadastrës që nga viti 1990 për të pajisur me dokumentacionin e nevojshëm qytetarët e interesuar për të provuar përmes tyre pronësinë.

Dokumentet e zhdukura

-Gjithë dokumentacioni i pronësisë së ish-pronarëve dhe pronave
-Titujt kadastralë në përgjithësi: tokë-arë, bujqësore apo pemishte, shtetërore
-Të ish-kooperativave bujqësore apo të ish-NB–ve
-Prona të regjistruara gjatë Reformës Agrare, para dhe pas vitit 1946
-Libra të pronarëve
-Shtetëzimet që janë bërë nga shteti vit pas viti
-Dokumentacioni i komunave apo bashkive të rrethit

Hetimi, vijnë ekspertë nga Tirana
Ekspertë nga Tirana kanë mbërritur me helikopter në Sarandë, për të ndihmuar në zbardhjen e grabitjes së kasafortës. Ndërkohë, në komisariat u shoqëruan dje disa persona, mes tyre dhe roja i godinës. Sipas tij, shërbimi roje vazhdon deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Autorët kanë pasur si qëllim zhdukjen ose manipulimin e dokumenteve, duke e menduar prej kohësh grabitjen, deri në realizimin e saj gjatë mesnatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›