NATO, PD e PS nisin garën e koncerteve
Aristir Lumezi
Anëtarësimi në NATO do të jetë një festë e përthyer politikisht. Bashkia dhe qeveria përgatisin festa të veçanta. Sot, Bashkia e Tiranës do organizojë aktivitete në bulevardin kryesor, që do të kulmojnë në sheshin “Skënderbej” me një koncert të madh festiv me këngëtarë nga të gjitha trevat e vendit. Një ditë më vonë, në datën 5 prill, qeveria ka përcaktuar një tjetër protokoll, i ngjashëm me atë të bashkisë, që kulmon me një fjalim të kryeministrit dhe koncert festiv. Të gjitha krahët e politikës kanë deklaruar se përveç reformave, anëtarësimi në NATO është arritje dhe fitore e qytetarëve të Shqipërisë, ndërkohë që qytetarët ftohen dy herë për të festuar festën e tyre.
Bashkia
Bashkia e Tiranës ftoi dje përmes zëdhënëses së saj të gjithë qytetarët pa dallim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në festën gjigante “Një vend, një popull, një ëndërr”. Sipas axhendës së saj, do të zhvillohet një koncert i madh, i cili do zgjasë rreth 5 orë, ku do të këndojnë këngëtarë të njohur si Stine, Produkt 28, Mariza Ikonomi, Julka e shumë artistë të tjerë. I ftuar special i kësaj mbrëmjeje do të jetë grupi muzikor “West Side Family” me një recital të përzgjedhur nga këngët e tyre të suksesshme, një prej të cilave është dhe ajo e kënduar bashkë me kryetarin e Bashkisë, Edi Rama. Por bashkia ka menduar që të gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ta kthejë në një shëtitore ku do të zhvillohen mjaft aktivitete. Kështu pranë Galerisë së Arteve, fëmijët do të gjejnë një skenë të ndërtuar vetëm për ta. Ndërsa pranë parkut ”Rinia”, nga ora 18:00 e në vazhdim do të ketë karaoke, e cila pritet të bëhet skena zbuluese e “talenteve të reja”. Për një mbarëvajtje sa më të mirë të këtyre aktiviteteve, do të ndërpritet që pasdrekes qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për t’i dhënë hapësirë qytetarëve të shijojnë festën.
Qeveria
Qeveria ka planifikuar një program më të shtrirë në kohë, i cili nis që nga aeroporti “Nënë Tereza”. Rreth orës 12:15 minuta të datës 5 prill pritet të mbërrijë “Charteri” qeveritar që do të sjellë delegacionin zyrtar nga Strasburgu. Mësohet se do të jetë i gjithë kabineti qeveritar në aeroport, krerët e grupeve parlamentare, por dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Avioni qeveritar do të pritet me të gjitha detajet e protokollit zyrtar, që nga tapeti i kuq e deri te banda e ushtrisë, që do të jetë e vendosur në pistën e aeroportit. Pas zbritjes së delegacionit, do të ketë një deklaratë të kryeministrit Berisha e më pas eskorta me delegacionin do t’i drejtohet kryeqytetit. Mësohet se karvanit të gjatë të makinave të delegacionit qeveritar do t’i bashkohen edhe banorë të Kasharit, të cilët do të udhëtojnë drejt Tiranës, ndërsa në kryqëzimin e “Zogut të Zi”, pritet që kryeministri të përshëndesë qytetarët që do të kenë mbushur këtë shesh. Rreth shatërvanit të “Zogut të Zi” janë vendosur flamujt e 28 vendeve anëtare të NATO-s. Më tej kryeministri Berisha do të mbledhë qeverinë në një takim informal për t’iu drejtuar më pas sheshit “Nënë Tereza”, ku do të takohet me një grup të rinjsh. Nga aty të gjithë do t’i drejtohen sheshit “Skënderbej”, ku në orën 19:00 kryeministri do të mbajë një fjalim për anëtarësimin në NATO. Pas fjalimit do të ketë një koncert të madh me këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare. Jonida Maliqi, Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, grupi “Kthjellu” dhe “Elita 5” do të jenë vetëm nisja e koncertit, i cili do të kulmojë me grupin anglez “UB 40”, që do mbajë peshën e koncertit. Në fund fishekzjarrët që do zbardhin qiellin e Tiranës do të mbyllin natën festive të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Basha: Është një emocion i papërshkruar
Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, ka shprehur dje emocion të madh, pasi flamuri shqiptar është vendosur në krah të flamujve të vendeve anëtare të NATO-s. “Flamuri shqiptar është gjithmonë i pranishëm në takime, por këtë herë ai ndodhet pranë vendeve anëtare të NATO-s”, deklaroi dje Basha. Shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar se Shqipëria, ashtu sikurse më parë, do të japë kontributin e saj në çështjet që shqetësojnë Aleancën. “Shqipëria e ka pasur rastin të shprehet mbi të gjitha çështjet që shqetësojnë Aleancën dhe Shqipëria konsiderohet si një partner i përhershëm. Ne kemi dhënë kontributin tonë, që ka të bëjë me interesat ndërkombëtare dhe mënyrat se si Shqipëria do të angazhohet në politikat ndërkombëtare”, ka pohuar Basha.
Shefer: Shqipëria përkrah vendeve që kanë rrezikuar më shumë
Hyrja e dy anëtareve të reja në NATO është mirëpritur dhe nxitur edhe nga kreu i aleancës, Jap De Hop Shefer. Ndërsa si gjithmonë është shprehur pro politikës së zgjerimit, duke mbështetur fuqishëm Shqipërinë dhe Kroacinë si kandidate të denja, ai ka veçuar vendin tonë, si një nga pak vendet e botës, që janë të predispozuar për të rrezikuar me pjesëmarrje në misionet e aleancës, duke i vlerësuar ato si të amerikanizuara. Duke folur me gazetarët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer tha se Evropa duhet të hedhë hapa para. “Kjo nuk është lufta e Presidentit Obama”, tha Shefer. “Duhet që aleatët të sigurojnë që ata do të bëjnë pjesën e tyre. Nuk duhet të ketë ankesa në lidhje me ‘amerikanizimin’ e këtij misioni, në qoftë se aleatët e tjerë nuk luajnë rolin e tyre”, tha Shefer. Ai mbështeti citimin e sekretarit amerikan Robert Gejts. “Jam shumë i shqetësuar për ndarjen e aleancës në dy palë, ku ka aleatë që vijnë të luftojnë dhe të vdesin për sigurinë e njerëzve, dhe të tjerë që nuk e bëjnë këtë. Dhe unë mendoj se kjo hedh hije mbi të ardhmen e aleancës, nëse kjo lloj sjelljeje përkeqësohet”, ka thënë Gejts para Kongresit amerikan. Sipas Shefer, “në grupin e parë ku kategorizohen vendet që ofrojnë trupat e tyre janë SHBA, Britania, Kanadaja, Polonia, Franca, e cila ka komandën ushtarake të aleancës këtë vit dhe Shqipëria, e cila është një vend i ri anëtar. Dhe në grupin e dytë është pjesa më madhe e vendeve të NATO-s”. Përveç SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Kanadasë, Shqipërisë dhe Holandës e Polonisë shumica e vendeve të NATO-s nuk kanë pasur dëshirë për të dërguar trupa në misionin që ka shpenzuar kaq shumë para. Ishte Presidenti Bush ai që u kërkoi aleatëve të NATO-s për të dërguar trupa, për të ndihmuar sado pak me kontributin e tyre.
Reuters: Shqipëria feston, Kroacia pret ftohtë hyrjen në NATO
Shqipëria dhe Kroacia, edhe pse një hap larg njëra-tjetrës në progresin e anëtarësimit, e kanë pritur ndryshe lajmin për hyrjen në aleancën veri-atlantike. Një orë gjigante në ndërtesën më të lartë në Tiranë numëron minutat deri kur vendi ish-stalinist të bashkohet këtë javë me aleancën dikur të urryer të NATO-s, komenton “Reuters”. Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë, është e mbushur me krenari dhe perspektivë për bashkimin me aleancën, së bashku me shtetin e Kroacisë, në një samit të NATO-s të pritur bashkërisht nga Franca dhe Gjermania, të premten dhe të shtunën. Ndërtesat e qeverisë dhe parlamentit janë dekoruar me flamujt e vendeve anëtarëve të NATO-s dhe janë planifikuar koncerte nëpër rrugë. Çdo mbrëmje, një projektues ndriçon jashtë zyrës së Kryeministrit Sali Berisha, simbolet e NATO-s nëpër rrugën kryesore, nga zyra që dikur ishte ajo e diktatorit komunist Enver Hoxha. Por nuk ka asgjë nga ky entuziazëm në Kroaci, ku bashkimi me NATO-n pothuajse është marrë i mirëqenë dhe çmimi i vërtetë mbetet anëtarësimi më i papërcaktuar në Bashkimin Evropian. Që kur Shqipëria ka aplikuar për t‘u bashkuar me NATO-n në 1992, mbështetja për anëtarësimin është rritur në mënyrë të qëndrueshme në 96 për qind pasi NATO, e udhëhequr nga SHBA ndali ofensivën e ushtrisë dhe policisë serbe kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë në vitin 1999. Nga ana tjetër, NATO-ja ka qëndruar mënjanë gjatë luftimeve ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë në vitet ’90, pasi u shemb Jugosllavia. Analisti Fatos Lubonja ka cituar për “Reuters” se Partia Demokratike e Berishës në pushtet po feston NATO-n për të nxitur figurën e partisë para zgjedhjeve të përgjithshme më 28 qershor, të cilat do të ndiqen nga afër nga BE për të parë shenja të përparimit.
Topi, i vetëm në darkën me krerët e NATO, takon Obamën
bledar hoti
Presidenti Bamir Topi është i vetmi shtetar që përfaqëson shtetin shqiptar në samitin e NATO-s në Strasburg-Kehl.
Beteja mes institucioneve për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë samit, duket se është fituar nga Presidenti Bamir Topi. Në pritjen zyrtare të hapjes së samitit janë parë duke hyrë vetëm Presidenti shqiptar Topi me bashkëshorten e tij, ndërsa në delegacionin tonë bëjnë pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Topi dhe bashkëshortja e tij janë pritur nga Merkel, Sarkozi dhe Shefer, të cilët kanë bërë edhe foton zyrtare me këtë ceremoni. Ndërsa Kroacia në këtë eveniment është përfaqësuar me presidentin Stipe Mesiç dhe kryeministri Ivo Sanader. Presidenti gjithashtu ka qenë i vetmi shtetar shqiptar që është përfaqësuar në tavolinën e krerëve të shtetit në të cilën ka mbajtur edhe fjalimin zyrtar. Në këtë ceremoni ka pasur mundësi që të takohet edhe me presidentin e SHBA-së, Barak Obama. Zyra e shtypit e Presidencës, bëri të ditur se kreu i shtetit, Topi së bashku me zonjën e parë, Teuta Topi takuan presidentin Obama, gjatë pritjes së dhënë nga Kancelarja gjermane Angela Merkel. Topi e përgëzoi dhe një herë Obamën për fitoren në zgjedhjet e nëntorit dhe i shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmesën e pakursyer të SHBA-ve për Shqipërinë. Ndërsa Obama e uroi kryetarin e shtetit për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, duke u bërë tashmë edhe ‘de jure’ aleate dhe partnere strategjike në Aleancë.
Fjalimi
“Shqipëria e vogël vjen në këtë Samit për të pohuar vendosmërinë e saj se e meriton këtë anëtarësim”. Kështu ka deklaruar Presidenti shqiptar Bamir Topi, gjatë diskutimit të tij në darkën e shtruar mes krerët e 28 vendeve anëtare të NATO-s. Presidenti Topi theksoi në fjalën e tij se: “Jam shumë i nderuar që marr pjesë në këtë Samit historik për NATO-n dhe shumë i lumtur që përfaqësoj vendin tim në ngjarjen e tij më të madhe në rrugëtimin e rëndësishëm drejt demokracisë dhe lirisë”. Sipas tij, Shqipëria për këtë anëtarësim ka mbështetjen pothuajse të plotë të qytetarëve të saj, konsensusin e plotë politik dhe mediatik dhe përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet në përballjen me sfidat e përbashkëta. “Ky anëtarësim do të ndihmojë zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe reformat politike, ushtarake dhe ekonomike në Shqipëri, do të nxisë hapat e saj në integrimin e mëtejshëm euroatlantik. Prova e parë do të jetë zhvillimi sipas standardeve i zgjedhjeve të ardhshme politike të qershorit 2009”, deklaroi Topi. Në të njëjtën kohë kreu i shtetit ka falënderuar shtetet anëtare të NATO-s për mbështetjen që i dhanë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë tranzicion të vështirë. “Ne nuk do mundnim kurrë të arrinim këtu sot nëse nuk do të ndjenim në hapat tona ndihmën, këshillën dhe miqësinë Tuaj. Ne provuam nëpërmjet Kartës A-3 dhe SHBA se jemi seriozë dhe dimë të punojmë së bashku. Ju jemi shumë mirënjohës Zoti Sekretar i Përgjithshëm! Ju jemi shumë mirënjohës President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Ju jemi shumë mirënjohës të gjithëve!”, deklaroi Presidenti.
Francë e Gjemani, protesta anti-NATO
Franca dhe Gjermania kanë përjetuar një luftë të vërtetë mes protestuesve anti-NATO dhe policisë në Strasburgut dhe Kehlit. Policia franceze ka arrestuar 300 protestues. Ata ishin të armatosur me gurë dhe shufra metali. Ndërsa qindra aktivistë anti-NATO lanë kampin e tyre në periferi të Neuhof, pranë kufirit gjerman dhe u përpoqën të “pushtojnë qendrën”. Policia arriti t’i shpërndajë vetëm me gaz lotsjellës dhe plumba gome. Protesta do të ketë sërish edhe sot, madje pritet të jenë më të ashpra, me rreth 30 000 pjesëmarrës në Francë dhe rreth 4 000 të tjerë në Baden të Gjermanisë. Franca ka rivendosur kontrollet me pasaportë mbi kufirin e saj me Gjermaninë dhe vendet tjera fqinje si pjesë të sigurisë për takimin e 60 vjetorit të NATO-s. Shumë rrugë janë tashmë të mbyllura dhe 25 000 të policisë janë vendosur në dhe rreth qytetit. Katedralja dhe vende të tjera të trashëgimisë botërore të UNESCO-s janë të mbrojtura nga pengesa me unaza çeliku, duke sjellë qetësi të frikshme në qendër të Strasburgut.
Kërcënimet dhe sfidat kërkojnë përgjigje të unifikuar
Obama mirëpret Shqipërinë e Kroacinë në NATO ”për një Evropë më të sigurt”
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka mirëpritur dje anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO, duke e konsideruar këtë hap si një mbështetje më shumë për sigurinë evropiane dhe botërore.
“Njëlloj siç mbështesim një mbrojtje më të fortë evropiane, ne mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë në grup. Prandaj ne duhet të sigurojmë se NATO ka ekip dhe është e aftë të përballet dhe të mposhtë të gjitha kërcënimet dhe sfidat e epokës së re. Kjo është detyra jonë kryesore”, tha Obama në fjalimin e tij në Strasburg. Presidenti i Shtetit që ka mbështetur më shumë nga çdo fuqi tjetër botërore Shqipërinë dhe shqiptarët pritet të çojë edhe më tej bashkëpunimin me vendet e reja të aleancës. Obama theksoi edhe vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballet e gjithë bota në këtë shekull, duke nënvizuar sigurinë e Evropës dhe nevojën për një përgjigje të unifikuar të tashmë 28 vendeve anëtare. “Çdo komb ka përgjegjësi për atë që shtrihet përpara. Qoftë recesioni apo ndryshimet klimatike, terrorizmi apo trafiku i drogës, varfëria apo zhvillimi i armëve nukleare, ne kemi mësuar se pa dyshim, nuk ka cep të botës që mund të jetë i izoluar nga kërcënimet e shek 21-të. E vetmja rrugë përpara janë përpjekjet e përbashkëta dhe të vazhdueshme për të luftuar frikën. Kjo është sfida e kohës dhe ne nuk mund të dështojmë po ta përballojmë bashkë”, tha Obama.