Kapet botuesi i "Diaspora", mashtroi me vizat USA
TIRANE - Botuesi i revistës "Diaspora", i cili kërkohej prej një viti nga Interpoli në Amerikë për vjedhje nëpërmjet mashtrimit, u arrestua dje në Tiranë. Thanas Moçka, 62-vjeç, është dënuar vitin e kaluar me 12 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës, pasi është denoncuar nga disa persona, të cilëve i kishte mashtruar duke u vjedhur rreth 92 mijë euro. Moçka bashkë me gazetarin e revistës me seli në SHBA, David Makaj, kishin arritur të përfitonin shuma të konsiderueshme parash, në këmbim të vizave amerikane. Botuesi Moçka me banim në Tiranë dhe gazetari Makaj me banim në Lezhë, u kanë marrë nga 23 mijë euro katër personave në këmbim të pajisjes së tyre me viza. Moçka ka pretenduar se si botues i një reviste ka bashkëpunim me ambasadën e SHBA-së në Tiranë, do u mundësonte atyre largimin në Amerikë me dokumente të rregullta. Por as vizat s'janë siguruar dhe as paratë s'janë kthyer. Sapo kanë kuptuar mashtrimin e tyre, të dëmtuarit kanë bërë kallëzim në prokurori, mbi bazën e të cilit u hap procedimi penal. Dënimi i Moçkës është dhënë në mungesë pasi ai u largua në drejtim të paditur pas rivlerësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit. Kjo e fundit ndryshoi masën e dhënë nga Shkalla e Parë, duke e lënë të lirë Moçkën. Procesi penal u zvarrit shumë për shkak të mosparaqitjes së tij në seancat gjyqësore. Ai kërkoi zëvendësimin e avokatit mbrojtës, kërkesë kjo që u pranua nga gjykata. Ky moment ka shërbyer për largimin e botuesit të revistës "Diaspora" nga Shqipëria, megjithëse ai ndiqej penalisht. Gjatë seancave gjyqësore në ngarkim të tij, u zbuluan dhjetëra fakte të mashtrimeve të tjera që ai kishte kryer jo vetëm me vizat amerikane, por edhe me viza italiane. Në vitin 2005 Thanas Moçka bë bashkëpunim me Alfons Ukën u akuzuan si drejtues të një rrjeti trafikantësh që falsifikonin viza dhe mashtronin me pasaporta gazetarësh. Qëllimi i tyre ishte dërgimi në rrugë klandestine i njerëzve nga Sllovenia në drejtim të Italisë. Pas disa denoncimesh nga viktimat e tyre, të cilëve u kishin marrë paratë, policia e Tiranës në atë kohë zbuloi personat që fshiheshin pas këtij rrjeti trafikantësh. Moçka dhe Uka u akuzuan se kishin nisur me viza false 30 shqiptarë drejt Italisë, të cilët u ndaluan në kufirin italo-slloven. Pas një viti kërkimesh nga Interpoli, kryesisht në SHBA, Thanas Moçka është arrestuar në Tiranë. Oficerët e Sektorit të Operacioneve dhe Kërkimit kanë zbuluar disa ditë më parë, që Moçka, i cili prej kohës kur ishte shpallur në kërkim nuk i kishte kaluar kufijtë e Shqipërisë, madje jetonte në shtëpinë e tij në kryeqytet. Dje policia realizoi edhe arrestimin e tij dhe transportimin drejt Shkodrës, ku do t'i komunikohet vendimi i marrë në mungesë nga Gjykata. e.d