E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhër-arresti tregtarit, edhe 3 akuza në Prokurori

 

Trazhgim Sokolaj

Shpallet në kërkim ndërkombëtar biznesmeni nga Vlora Indrit Aliu, i denoncuar në gjashtë raste për vjedhje të shumave të mëdha me anë të mashtrimit. Prokuroria e Tiranës e cila ka filluar hetimet 20 ditë më parë, kërkoi në gjykatë caktimin e masës së sigurisë në mungesë për të akuzuarin. Ai është larguar nga Shqipëria më 16 kmars 2009 ndërkohë që tri ditë para se të ndodhte kjo, në policinë e Tiranës ishte depozituar kallëzimi i parë ndaj "sipërmarrësit të rremë". Burime zyrtare nga Prokuroria, konfirmuan dje se kanë gjetur prova për kryerjen e veprës penale "mashtrim me pasoja të rënda duke vjedhur shuma të mëdha", nga Indrit Aliu në gjashtë raste. Pasi kanë faktuar kryerjen e veprës penale nga i dyshuari, hetuesit kanë grumbulluar provat për secilin rast, duke arritur në përfundimin se krimi është kryer në mënyrë të përsëritur, çka përbën rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Shumat e përvetësuara nga Indrit Aliu, sipas kallëzimeve të deritanishme arrijnë vlerën e mbi 3 milionë eurove. Ndërkaq, në Prokurorinë e Tiranës vazhdojnë kallëzimet penale ndaj biznesmenit nga Vlora, duke zbuluar kështu episode të tjera të veprimtarisë së tij kriminale. Burime zyrtare nga organi i akuzës thanë se janë duke dokumentuar edhe tri kallëzime të tjera në adresë të Indrit Aliut. Ai ka arritur të marrë përmes mashtrimit, shuma të mëdha monetare nga kompani dhe biznese të ndryshme, duke mos mbajtur premtimin për kthimin e shumave apo likuidimin e materialeve të përfituara. Precedentët penalë të Indrit Aliut, të shtrirë në kohë vetëm brenda një viti, duket se nuk kanë ndikuar vetëm në krijimin e një imazhi për biznesmenin në kërkim. Mbi të gjitha ai duket se është i mbytur në borxhe pasi të dhënat e hetimit tregojnë se ai ka detyrime të konsiderueshme financiare kundrejt çdo kompanie apo sipërmarrësi me të cilin kishte hyrë në marrëdhënie kontratash apo biznesi. Detyrimet e mëdha financiare si dhe informacioni që ka marrë Indrit Aliu për denoncimet e para ndaj tij, duket se kanë qenë shkaku i arratisjes nga Shqipëria më 16 mars 2009. Prokuroria e konsideron këtë veprim të biznesmenit nga Vlora, si një shmangie e pastër nga hetimi. Nga ana tjetër, organi i akuzës duket se është vendosur përballë presionit të "viktimave" të Indrit Aliut, të cilët kanë pësuar humbje të mëdha nga "kontratat" me të kërkuarin. Sipas burimeve zyrtare, prokuroria është duke hetuar për prona dhe pasuri të biznesmenit nga Vlora, me qëllim bllokimin e tyre, në mënyrë që më pas ato të përdoren për kthimin e shumave që kanë humbur "viktimat" e personit në kërkim ndërkombëtar. Urdhër-arresti ndaj Indrit Aliut mësohet se është firmosur nga Gjykata e Tiranës dhe më pas i është dorëzuar Zyrës së Interpolit për shpërndarje ndërkombëtare, pas të dhënave për largimin e të akuzuarit në drejtim të Greqisë. 

Mashtruesi, uniformë për policinë
Në mesin e vitit 2008, në mënyrë vullnetare biznesmeni në kërkim Indrit Aliu është ofruar të financojë projektin e uniformës së re të Policisë së Shtetit. I dyshuari duket se ka tentuar të shkojë larg çdo imagjinate me "bëmat" e tij, duke u ofruar vullnetarisht të financonte projektin 13 milionë USD për veshjen e policisë së shtetit. Një projekt i cili bazuar në premtimet e Indrit Aliut për financim, filloi të përgatitej madje në tetor 2008 në mënyrë zyrtare u bë publik edhe modeli i ri i uniformës së policisë. Biznesmeni duket se ka pasur lidhje në polici, pasi veç zyrtarëve qendrorë dhe policisë së Tiranës i ka dhuruar edhe një kompjuter drejtorit të Policisë së Elbasanit pak ditë para arratisjes nga Qafë-Thana drejt Turqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›