Mashtruesi, kamera e përgjues policisë
Fatos Mahmutaj
Indrit Aliu supermashtruesi i biznesmenëve ka pajisur me kamera dhe pajisje të tjera elektronike Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në zyrën e tij gjendet fotokopja e dokumentit të akt dhurimit, çka në fakt e ka bërë një bankë e nivelit të dytë me ndërmjetësimin e Idrit Aliut. Veprimet për këtë janë bërë në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, kohë në të cilën Indrit Aliu nuk ishte bërë shumë i njohur në fushën e biznesit, ku më pas do të bënte kërdinë me mashtrime. Në fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë shumë të konsiderueshme, pasi janë vetëm 5.4 milionë lekë të vjetra që i janë paguar një dyqani pajisjesh elektronike në kryeqytet, ndërsa janë pranuar nga kreu i policisë së Tiranës, Hamdi Fjora, nënshkrimi i të cilit ndodhet në fund të dokumentit të akt-dhurimit. Gjithsej janë 10 aparate elektronike, nga të cilat: tre kamera dixhitale të llojeve të ndryshme; dy video kamera; një regjistrues dixhital; një minikamera; një kompjuter desktop; një printer; si dhe një monitor.
Po kështu në një shkresë tjetër, të cilën e ka firmosur më datë pesë mars të këtij viti, pak ditë para se të merrte arratinë supermashtruesi Aliu i ka bërë dhuratë Drejtorisë së Policisë së Tiranës 28 copë bojë printerësh të pesë llojeve të ndryshme. Shkresa mban numrin 263/1 në protokollin e kompanisë “Dejs & Partners Consulting”, ndërsa është vulosur me vulën e kësaj kompanie si dhe është firmosur nga Indrit Aliu, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm. Kjo ndoshta është një nga dhuratat e fundit që ia ka bërë policisë së kryeqytetit, në kohën kur disa prej viktimave të tij kishin kuptuar rrengun e punuar dhe rrezikonin ta denonconim për mashtrim. Rreth një javë më vonë, 25-vjeçari vlonjat do të denoncohej nga disa biznesmenë, të cilëve veçse u kishte marrë shuma të konsiderueshme të hollash, po kështu i kishte bindur të ndërtonin rrugë fshatrash nëpër komuna të rretheve periferike, por edhe nëpër komunat e Tiranës. Në kurthin e tij madje kanë rënë edhe shumë krerë dhe përfaqësues të pushtetit lokal, të cilët të etur për të fituar nga tenderët shtetërorë kanë futur në punë firmat e tyre të ndërtimit, për të restauruar apo ndërtuar sistemin rrugor në fshatrat që drejtonin. Veç kësaj Indrit Aliu do të bëhej protagonist mediash gjatë premtimeve të shumta që jepte publikisht, se gjoja do të ndihmonte me pensione dhe strehim familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës, ndërsa mashtrimi më i rëndë për policinë do të ishte premtimi për dhurimin e uniformave. Të paktën gjatë disa aktiviteteve publike, që kanë organizuar krerë të policisë së shtetit, Indrit Aliu në cilësinë e fondacionit “Dejs & Partners Consulting”, ka marrë pjesë duke premtuar se do ndihmonte fëmijët e policëve të vrarë, duke tejkaluar me këto premtime çdo akt human të mëparshëm. Ndërsa në premtimin për uniformat e reja, të bërë në fund të vitit 2008, Aliu pohoi se do ua dhuronte dikasterit të rendit nisur nga humanizmi. Por në të dy rastet, policisë i mbetën vetëm premtimet.
Kujtim Kajtazi: Indrit Aliu më mashtroi të parin edhe pse isha mikpritësi i tij
TIRANE - Biznesmeni Kujtim Kajtazi, pranon se është viktima e parë e Indrit Aliut. Për më tepër ky është personi që e “strehoi” supermashtruesin vlonjat dhe që nuk u bind asnjëherë se kishte të bënte me një njeri të tillë, paçka se do i kushtonte 50 mijë euro. Pasditen e dy ditëve më parë, Kajtazi ndodhej në zyrat e Aliut, ambiente të cilat ia kishte dhënë me qira, ndërsa tashmë ngushëllohet vetëm nga fakti se investimi në ambiente, tashmë i ka mbetur atij. I kontaktuar nga gazeta, Kajtazi pranoi të jepte një prononcim, në të cilin shpjegoi njohjen dhe kurthin në të cilin e futi mashtruesi.
Zoti Kujtim, si e keni njohur Indrit Aliun?
Duke qenë pronar i shkollës jo publike “Vëllezërit Kajtazi”, Indriti kishte ardhur aty në maj 2008 për t’u interesuar për një djalë, për të cilin hiqej si vëlla. Mu prezantua si këshilltar i jashtëm i Kryeministrit, dhe kreu i Fondit të Zhvillimit Turk. Për këto më tregoi një dokument që kishte në xhep. Më tha: “rrugën para shkollës e paske keq. Do interesohem të të nxjerr një fond”. Iku, dhe deri në shtator nuk e takova. Më pyeti për pagesën e “vëllait”. I thashë nëse ndërton rrugën nuk dua pagesë.
“Do bëhet” -më tha. Pas ca ditësh më mori në telefon sekretarja e tij dhe më tha që të paraqitesha në zyrë se kishin dalë fondet. E takova dhe më tha se fondet i kam siguruar. Bisedo me kryetarin e komunës të bëjë projektin. Ndërkohë që i dhashë projektin pas 4 ditësh më tha: “Doli fondi për 660 milionë lekë të vjetra. Kam gjetur firmën fituese, një firmë nga Fieri. Erdhën ata dhe bënë 2.5 kilometër rrugë dhe për këtë nuk morën asnjë lekë”.
Ju i besonit?
I thashë se kur merresh me këtë punë, me gjej edhe mua ndonjë tender. “Mos i diskuto mor babë”, - më tha, më thërriste “babë”. Pas pak ditësh nisa për të ndërtuar rrugët e komunës së Arbanës. Mua nuk më kërkoi 3%. Me Indritin dhe biznesmenë të tjerë kemi shkuar tre herë në Turqi ku na thoshte se do takonte bosin e madh, por që veç nesh mashtronte edhe biznesmenët turq, ku u thoshte se kishte 70 mijë hektarë tokë në Sarandë. Indriti ishte orator i mirë, fliste mjaft mirë disa gjuhë dhe normalisht që gënjente në premtimet e shumta që jepte çdo moment, por që nuk na u dukën të tilla. fa.ma.
Indrit Aliu për dy muaj mashtroi dhjetëra biznesmenë
TIRANE - Supermashtruesi Indrit Aliu vetëm për rreth dy muaj futi në kurth dhjetëra biznesmenë kryeqytetas, të cilëve u rrëmbeu gjatë kësaj kohe një shumë prej 3 milionë eurosh, para së të arratisej me një mënyrë të mirëmenduar nga territori shqiptar. Tashmë policia e ka shpallur në kërkim, por ende nuk dihet asnjë informacion për të, pasi ka kaluar kufirin me Maqedoninë më datë 16 mars, ai ka humbur çdo gjurmë të mëtejshme. Ndërkohë pak ditë më parë, Prokuroria iu drejtua gjykatës për vendosje mase sigurie në mungesë, ndërsa denoncimet për të riun vlonjat shtohen nga dita në ditë në polici, Prokuroria dhe Gjykatën e kryeqytetit. f.m.