E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujërat e zeza në det, pezullohen dhjetëra subjekte

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kontrollit Mjedisor, Dreshani janë gjobitur 245 subjekte dhe pezulluar 153 subjekte. Ndëshkime edhe për pushtetin vendor

Ujërat e zeza derdhen në disa zona bregdetare dhe ky problem është i trashëguar prej vitesh. Tashmë këtë fenomen Ministria e Mjedisit jo vetëm e ka pranuar por premtimi që jep ky dikaster është se deri vitin tjetër asnjë tubacion i ujërave të zeza nuk do të derdhet në det.


Madje drejtori i Drejtorisë së Kontrollit Mjedisor, Alferd Dreshani thekson se aksioni ka filluar pasi janë mbyllur dhe janë ndëshkuar dhjetëra subjekte të cilat derdhin ujërat e zeza në det.


Ndërkohë Dreshani shpjegon se ndëshkime janë bërë jo vetëm për ujërat e zeza në det por edhe për ndotjen akustike e mbetjet urbane ku në total janë vënë 245 gjoba dhe pezulluar 153 subjekte.


Ndotja


Plazhi i Golemit, shkëmbi i Kavajës dhe ai i Vlorës afër tunelit janë tejet të ndotura nga ujërat e zeza. Kështu megjithatë zotimet e përvitshme për kushte optimale në sezonin turistik të verës, pushuesit në Shqipëri vijojnë të përballen me plazhe të ndotura, zhurma të pakontrolluara në diskoteka dhe mbetje urbane.


Drejtoria e Kontrollit për Mjedisin, pranoi se plazhi i Golemit dhe ai i Vlorës janë tejet të ndotur, për shkak të lidhjeve të paligjshme për derdhjen në det të ujërave të zeza. Sipas drejtorit të kësaj drejtorie Dreshani problem nuk janë vetëm ujërat e zeza por edhe mbetjet urbane, si dhe ndotjes akustike.


"Nisur nga kjo situatë problematike, Ministria e Mjedisit ka kryer në qarkun e Tiranës, ku përfshihet dhe plazhi i Golemit e Shkëmbit të Kavajës numrin më të madh të inspektimeve. Ndër 404 të tilla janë ndëshkuar me gjoba 67 subjekte dhe është pezulluar aktiviteti i 68 të tjerave. Pas Tiranës renditen Vlora, Shkodra dhe Korça, për numrin e subjekteve të gjobitura apo të pezulluara",- pohon Dreshani.


Inspektimet


Në rast konstatimi të shkarkimit të paligjshëm në det të ujerave të zeza do kryhet prishja e kanalizimeve që shkarkojnë në det, do merren masa administrative me gjobë dhe në rastet që do konstatohet që kjo shkelje është e përsëritur do bëhet kallëzim penal pranë Organit të Prokurorisë për personat përgjegjës.


Kështu u shpreh drejtori i Kontrollit Mjedisor Alfred Dreshani duke shtuar se për objektet tregtare që do vazhdojnë shkarkimin e ujerave të zeza në det, nga organi shtetëror kompetent do bëhet bllokimi i veprimtarisë, si dhe do dërgohet propozimi për heqje licencës për ushtrimin e veprimtarisë përkatëse në institucionin shtetëror kompetent.


Sipas tij nëse do konstatohet që drejtuesit e pushtetit vendor me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë lejuar ndërtimin dhe kolaudimin e objekteve që kryejnë shkarkime të ujerave të zeza në mjedisin detar do të ndiqen te gjitha rrugët ligjore për marrjen e masave përkatëse ndaj tyre


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›