E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca, vrau për gjakmarrje, 21 vjet burg

Lulzim Rakaj akuzohet se ka vrarë në vitin 2004 tregtarin Kolë Gjokaj përpara banesës së tij në Shkodër

SHKODËR- Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar dhe dënimin me 21 vjet burg për 26- vjeçarin Lulzim Rakaj, i cili akuzohet për vrasje me paramendim për gjakmarrje. Procesi gjyqësor në ngarkim të tij është zhvilluar për herë të dytë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër pasi vendimi i mëparshëm i saj ishte prishur nga gjykata e Apelit. Në pretencën e saj, prokurorja Edlira Cufi ka kërkuar 21 vjet për vrasësin e shtetasit Kolë Ndue Gjokaj në vitin 2004. Ngjarja për të cilën akuzohet Rakaj ka ndodhur për motiv gjakmarrjeje më 18 prill 2004. Tregtari Kolë Gjokaj jetonte i vetëm në banesën tip vile, pasi familjen dhe të afërmit i kishte në SHBA. Vëllai i viktimës kishte vrarë më parë babanë e Lulzimit, shtetasin Ndue Rakaj. Konflikti mes tyre kishte qenë për motive të dobëta, grindje e çastit për rrugën e kalimit me makinë, ku vëllai i viktimës, Kolë Gjokaj, kishte qëlluar drejt Lulzimit dhe babait të tij. Pas kësaj, familja e autorit u ngujua e më pas ai dhe të afërmit shkuan në SHBA. Në Hot qëndroi vetëm viktima Kolë Gjokaj, që punonte si tregtar që sillte mallra me shumicë nga Mali i Zi. Duke qenë në gjak ai ruhej, por mesditën e 18 prillit 2004 ai ka dalë tek pragu i jashtëm i banesës pasi kishte shkarkuar aty disa blloqe betoni. Lulzim Rakaj ka qenë i fshehur në një ndërtesë të papërfunduar përballë shtëpisë së viktimës. Ai ka qëndruar në katin e dytë nga ku ka ndjekur lëvizjet e Kolë Gjokajt. Pasi ka parë që ky ka dalë jashtë, ai ka qëlluar duke i shkaktuar vdekjen. Kapja e Lulzim Rakajt u bë e mundur vetëm më 22 tetor 2005, pas një operacioni policor me pjesëmarrjen e forcave të FNSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›