Grabitet kambisti në Tiranë, i marrin me dhunë 6 milionë lekë
TIRANE – Dy persona ende të paidentifikuar grabitën mbrëmë një kambist në Tiranë, të cilit i morën 6 milionë lekë të vjetra, pasi e sulmuan fizikisht. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, në një rrugicë të errët pranë gjimnazit Partizani në Tiranë. Policia tha se kambisti 61-vjeçar, Odise N., po kthehej në shtëpi, pasi kishte mbyllur aktivitetin në momentin kur është sulmuar fizikisht nga autorët e ngjarjes. Policia tha se autorët e kanë goditur të dëmtuarin me gurë në kokë dhe e kanë detyruar që tu dorëzojë paratë që kishte në çantë. Duke shfrytëzuar errësirën dhe motin me shi, grabitësit kanë mundur të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Me një plagë të rëndë në kokë, kambisti ka arritur të ngrihet në këmbë dhe ka lajmëruar menjëherë në sallën operative të policisë. Ai ka shpjeguar vendndodhjen e tij e më tej ka dhënë sqarime për ngjarjen që i kishte ndodhur. Drejt vendit të ngjarjes u nisën menjëherë oficerët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë dhe forcat e Komisariatit Nr.4, të cilët bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe shoqëruan drejt Spitalit Ushtarak të dëmtuarin, për ti dhënë ndihmën mjekësore. Gjatë deklarimeve që ka dhënë në polici kambisti i dëmtuar, Odise N., ka treguar se është sulmuar nga dy persona, të cilët me sa duket i kishin zënë pritë në rrugicën e errët. Në atë kohë ai po kthehej në këmbë për në shtëpinë e tij në Kinostudio të Tiranës, pasi kishte mbyllur aktivitetin në Qendër. Kambisti 61-vjeçar ka treguar gjithashtu se në çantë kishte rreth 6 milionë lekë të vjetra, me të cilat do të riniste sërish aktivitetin të nesërmen. Autorët i kanë thirrur nga një distancë e afërt, duke i thënë që tu jepte paratë, në të kundërt do ta qëllonin për vdekje. Fillimisht 61-vjeçari ka tentuar të rezistojë dhe në këtë kohë ata e kanë goditur në kokë, duke i marrë çantën me para. I dëmtuari ka treguar për policinë se nuk ka arritur të njohë asnjërin prej autorëve, as nga zëri, por edhe për shkak të errësirës në vendin ku ndodhi ngjarja. Burimet sqaruan se personat që kanë kryer grabitjen, mund të kenë pasur dijeni për aktivitetin e të dëmtuarit dhe kishin parapërgatitur ngjarjen, duke zgjedhur edhe vendin e favorshëm për ta sulmuar. Oficerët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. e.d