Tritol artizanal bunkerëve, policia heton 5 prodhuesit
Prodhonin lëndë plasëse në mënyrë artizanale për të shkatërruar bunkerët, hetohen pesë persona.Sipas njoftimit zyrtar të Policisë bëhet e ditur se me akuzën e prodhimit dhe shitjes së armëve luftarake dhe municioneve janë në hetim: A. Kaca, 25 vjeç, D. Kaçiku, 26 vjeç, A. Kontreli, 23 vjeç, A. Balliu, 21 vjeç dhe A. Biba, 21 vjeç, që të pestë banues në fshatin Zdrajsh, komuna Orenjë në Librazhd. Këtyre shtetasve, në fshatin Qerret, në vendin e quajtur Veni, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi nitrat amoni dhe një sasi lënde djegëse (naftë), të cilat mendohet se mund ti përdornin për prodhimin në mënyrë artizanale të lëndës plasëse. Shefi i Komisariatit në Librazhd, Sulejman Kalaja, deklaron se në këtë zonë malore janë të shumtë personat, të cilët përdorin në mënyrë artizanale lëndë plasëse e më pas i shpërthejnë ato te bunkerët e kohës së monizmit, me qëllim për tu marrë skrapin. Policia e Librazhdit, – vijon Kalaja, – disa herë ka mundur të kapë lëndën materiale, por jo të përgatitur për shpërthim dhe për këtë arsye personat janë proceduar në gjendje të lirë. Zona, e cila njihet më së shumti në Librazhd për bunkerë apo qendra zjarri, është ajo e quajtur Livadhet e Muços, në Kuturman dhe Orenjë. Shpërthimet në mënyrë artizanale nga shtetas të ndryshëm janë bërë shpeshherë shqetësim edhe për banorët e zonës përreth, të cilët ndeshen me to veçanërisht në orët e mbrëmjes. Jo rrallë, hekurnxjerrësit, në mënyrë artizanale kanë vënë në rrezik edhe jetën e tyre si pasojë e shpërthimeve në mënyrë artizanale. Në zonat e sipërpërmendura ekzistojnë mbi 1000 bunkerë të vendosur në faqe të malit, të cilët u ndërtuan gjatë regjimit komunist për të përballuar me lehtësi goditjet e predhave. Mësohet se tashmë një e treta e këtyre bunkerëve janë shkatërruar nga shpërthimet artizanale. Fenomeni në fjalë është kthyer në një problem shqetësues edhe për vetë policinë, e cila ndodhet shumë herë në vendet ku ka bunkerë, për të bërë të mundur ndalimin e këtij fenomeni dhe kanë qenë të shumta rastet kur autorët janë arrestuar apo proceduar në gjendje të lirë. m.s
LIBRAZHD/ MIRANDA SADIKU