E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qiramarrësi vret pronarin e shtëpisë

Dy goditje me thikë i kanë marrë jetën në vend 57-vjeçarit Sami Kapllani dje në Tiranë.Pak pas mesditës, ai është vrarë nga një person që kishte marrë me qera banesën e tij prej më tepër se një viti. Policia e Tiranës informoi se Ylvi Kodra, 61 vjeç, që banonte me qira në shtëpinë e viktimës, qëlloi dy herë me thikë viktimën Sami Kapllani. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, në veraken e një shtëpisë private në rrugën Kongresi i Lushnjës, pranë shkollës Naim Frashëri në Tiranë. Konfliktet e vazhdueshme mes pronarit të shtëpisë dhe personit që jetonte me qira në katin e parë të banesës, shkak i të cilave ishte vonesa në pagesën e qirasë, dje përfunduan me një të vrarë dhe autorin e arrestuar. Burime nga Policia thanë se autori i dyshuar i ngjarjes, Ylvi Kodra, 61 vjeç, ka goditur dy herë me thikë në kokë dhe qafë qiramarrësin, Sami Kapllani, 57 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend. I dyshuari është vënë në pranga brenda pak minutash nga forcat e policisë, që ndodheshin shumë pranë vendin të ngjarjes, në ruajtje të qendrës së numërimit të votave për Njësinë Nr.7. Gjatë tentativës për tu arratisur nga shtëpia ku kishte kryer krimin, autori është ndaluar nga forcat e policisë së Komisariatit Nr.2, të cilët kanë sekuestruar edhe thikën me të cilën ishte kryer vrasja. Në vendin e krimit mbërritën edhe oficerët e seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, të cilët këqyrën vendngjarjen dhe fiksuan provat e nevojshme, duke pyetur edhe disa dëshmitarë dhe familjarë të viktimës së autorit. Trupi i viktimës u transportua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku ekspertët kryen ekzaminimin duke përcaktuar edhe shkaqet e vdekjes. Sipas tyre, goditja me thikë në pjesën e qafës ka qenë fatale për 57-vjeçarin Kapllani, pasi i ka këputur arterien kryesore.
I ARRESTUARI
Gjatë procesit të marrjes në pyetje në polici, Ylvi Kodra, i arrestuar si autor i vrasjes së qiradhënësit të tij, Sami Kapllani, ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Ai ka treguar se ngjarja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër dhe në momentin që ai e ka fyer, duke i ofenduar njerëzit e familjes së tij, e ka goditur me thikë duke e vrarë. I dyshuari ka shpjeguar gjithashtu në polici, se kishte për të shlyer edhe 50 mijë lekë të reja qira për dy muaj, por nuk kishte arritur që të siguronte paratë dhe, për këtë arsye, ka nisur konflikti mes tyre. Burime nga policia sqaruan se rasti i konflikteve mes viktimës dhe autorit, nuk është i panjohur për ta, pasi disa muaj më parë, viktima Sami Kapllani ishte ankuar në polici duke tentuar të denonconte vonesat në pagesën e qirasë. Por policia e ka drejtuar në gjykatë, duke e shpjeguar se rasti është civil dhe mund të zgjidhej vetëm me një padi civile. Sipas burimeve, autori Ylvi Kodra, hetonte prej më shumë se një viti në shtëpinë e Kapllanit dhe pagesa ishte 25 mijë lekë të reja në muaj. Në të njëjtën shtëpi ku ndodhi ngjarja, jetonte edhe familja e viktimës, që janë edhe pronarë të ndërtesës dykatëshe, si dhe dy familje të tjera me qira. Ngjarja ka ndodhur në sytë e familjarëve të të dy palëve dhe qiraxhinjve të tjerë.

MOSMARREVESHJET

Pronari i shtëpisë, Sami Kapllani, ishte ankuar disa muaj më parë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për qiramarrësin, i cili nuk i paguante në kohë qiranë. Ai kishte treguar në polici se me Ylvi Kodrën kishte mosmarrëveshje në lidhje me këtë çështje dhe disa herë kishin debatuar, madje edhe kërcënuar. Por policia e kishte orientuar drejt gjykatës, për të bërë një padi civile.

ARRESTIMI

Shtëpia e viktimës Sami Kapllani, ku ndodhi ngjarja, ndodhet fare pranë shkollës Naim Frashëri, ku aktualisht vazhdon numërimi i votave për Njësinë Nr.7 të Tiranës, vend që mbahet nën mbikëqyrje nga forca të shumta policie. Kanë qenë pikërisht forcat e rendit të vendosura pranë vendit të numërimit, ata që kanë ndaluar autorin e ngjarjes, Ylvi Kodra, i cili ka dalë duke vrapuar në rrugë për tu arratisur.

E pamë autorin duke e goditur me thikë

TIRANE – Kanë qenë të paktën dhjetë persona që janë bërë dëshmitarë të vrasjes së 57-vjeçarit Sami Kapllani, paraditen e djeshme në Tiranë. Një prej dëshmitarëve, që gjithashtu banon me qira në banesën e viktimës, mjaft i tronditur nga ajo çfarë kishte ndodhur, tregoi dje për gazetën momentin e vrasjes së pronarit të tij. Ai e ka përshkruar ngjarjen si një krim makabër që përgjaku të gjithë verandën në oborrin e shtëpisë. Fillimisht i dëgjuam që po debatonin me zë të lartë dhe më pas nisën të fyenin njëri-tjetrin. Dolëm për të parë se çfarë po ndodhte dhe, në atë moment, Ylviu e goditi me thikë pronarin, një herë në kokë dhe një herë në qafë. Më pas, duke mbajtur thikën në dorë, nxitoi të dilte në rrugë, tregoi njëri prej dëshmitarëve. Ndërsa djali i madh i viktimës ka tentuar të futet në mes babait dhe autorit të ngjarjes, por ka qenë tepër vonë, pasi kur ai është shfaqur në oborrin e banesës, krimi kishte ndodhur. Madje edhe lajmërimi i ambulancës nuk ka qenë i nevojshëm, pasi Sami Kapllani kishte ndërruar jetë, si pasojë e hemorragjisë së madhe.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›