Dhunohen varret antike të Apolonisë
Persona të paidentifikuar dhunojnë varret antike të Apolonisë. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës së të dielës, në nekropolin antik, një zonë e pabanuar, e cila gjendet në skajin ekstrem të Parkut Arkeologjik, rreth 5 kilometra larg qendrës monumentale. Ka qenë roja ai që ka sinjalizuar për gërmime klandestine në varret 2000-vjeçare, ndërsa në një kohë të shkurtër në vendngjarje ka mbërritur policia e Fierit. Dhunuesit kanë arritur të largohen pa mundur të marrin ndonjë objekt arkeologjik, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet. Drejtori i Parkut të Apolonisë, Marin Haxhimihali, shprehet se ky është një fenomen i përsëritur. Edhe më parë ka pasur raste flagrante të gërmimeve klandestine në këto varre. Sipas tij, territori prej 750 hektarësh i parkut arkeologjik e bën edhe më të vështirë ruajtjen e kësaj hapësire. "Mundësitë për ta kontrolluar këtë sipërfaqe kaq të madhe janë të kufizuara. Jemi munduar që përmes sistemit të vëzhguesve që paguajmë në këto zona të largëta, të kontrollojmë territoret e parkut", thekson Haxhimihali. Duke pasur parasysh se gërmime të tilla ndodhin gjatë periudhës së verës, kur ka një fluks turistësh, sipas drejtorit të Parkut të Apolonisë hamendësohet edhe për një rrjet ndërkombëtar të objekteve arkeologjike që mund të ketë lidhje me vendet fqinje, Itali dhe Greqi. Nga policia nuk ka ende ndonjë të dhënë, ndërkohë që roja nuk ka mundur të identifikojë dhunuesit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe arkeologët. Edhe ata kanë pohuar gërmimet klandestine me qëllim grabitjen e objekteve arkeologjike që gjenden brenda varreve dhe shitjen e tyre. Arkeologu Arjan Dimo shpjegon se "qëllimi kryesor i këtyre gërmimeve ka qenë përfitimi përmes trafikimeve që dhunuesit kanë synuar të marrin në varre. Duhet të jetë e qartë që këto objekte të trashëgimisë kulturore janë pasuria e gjithë kombit dhe jo vetëm e fierakëve". Marin Haxhimihali, por edhe arkeologët, konfirmojnë se brenda këtyre varreve nuk ka objekte të vlerave të mëdha. Ato janë varre të thjeshta, me të dhëna që më shumë u interesojnë arkeologëve, si dëshmi e një qytetërimi të kësaj zone. Ndër banorët ato quhen si varret e faraonëve. Ndoshta kjo është një arsye që varret janë bërë herë pas here pre e gërmimeve klandestine. "Kjo është vetëm një legjendë. Nuk mund të mendohet që në Apoloni të ketë pasur faraonë. Ato janë varre të thjeshta dhe me interes vetëm për arkeologët. Një ide e tillë vetëm sa nxit kryerjen e këtyre gërmimeve", shprehet Haxhimihali. Të njëjtën gjë kanë konfirmuar edhe arkeologët. Sipas tyre, nuk ka objekte me vlerë monetare që të jenë të lakmueshme për t‘u grabitur nga këto varre që datojnë herët.
Problemi
Mungesa e rojeve është një problem shqetësues jo vetëm për Apoloninë. Edhe parqe të tjera arkeologjike mbeten të rrezikuara. Ky problem, ndër vite është diskutuar edhe për monumente të tjera të kulturës, e veçanërisht për kishat, të cilat kanë pësuar goditje të vazhdueshme. Më i fundit, një ditë më parë në Voskopojë. Dhunimi i varreve në Apoloni ka mbetur në tentativë falë pranisë së një vëzhguesi me pagesë në atë zonë të largët nga qendra monumentale e parkut arkeologjik. Për këtë dhunim janë vënë në dijeni edhe strukturat përkatëse të trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, në varësi të së cilës janë parqet arkeologjike. Sipas drejtorit Haxhimihali, deri më tani ai ka dërguar pesë shkresa zyrtare në ministri për shtimin e rojeve. "Kam kërkuar shumëfishimin e rojeve për gjithë territorin e parkut. Që të garantohet ruajtja, janë të domosdoshme dy kompani rojesh. Edhe para viteve ‘90 në Apoloni ka qenë një kompani e madhe", shprehet ai. Nga ana e saj, ministria përgjigjet se e ka transmetuar problemin në Parlament. Muaj më parë, përfaqësues të kësaj ministrie kërkuan nga qeveria çeljen e një fondi të veçantë për të paguar rojet e objekteve të trashëgimisë kulturore, duke argumentuar se këto nuk mund të përballohen me fondin vjetor të ministrisë.