E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet me dhunë varësja e 28-vjeçares

TIRANE – Hajdutët e varëseve të floririt godasin sërish. Sensibilizimi zgjati vetëm për pak ditë pas vrasjes së Fatbardha Tafës tek ish-Fusha e Aviacionit, e cila u godit me thikë nga hajdutët për t’i shkulur varësen e floririt nga qafa. Pas kësaj ngjarjeje, femrat kuj-deseshin që në zona jo shumë të populluara të mos mbanin varëse dhe vathë floriri, në mënyrë që të mos binin pre e grabitësve. Por, me sa duket, ato kanë nisur ta harrojnë ngjarjen e rëndë dhe kanë nisur të mbajnë sërish në qafë varëse të shtrenjta e në këtë mënyrë po bëhen sërish objekt sulmi nga hajdutët. Rasti i fundit ndodhi dy ditë më parë në Fushë-Mëzës të komunës Kashar në Tiranë. Një 28-vjeçare u sulmua rreth orës 14:00, teksa po kthehej në shtëpinë e saj, pasi kishte bërë pazarin. Burime nga Policia thanë se e dëmtuara është Luljeta Hoxha, e cila është paraqitur për të bërë kallëzim në Komisariatin Nr. 6. Ajo denoncon se është sulmuar nga një djalë i ri, sipas saj 16-17 vjeç, i cili nuk ka qenë i maskuar, por për faktin se ai ka vepruar shumë shpejt, nuk ka arritur t’i shikojë fytyrën. Në këtë mënyrë ajo ka sqaruar se nuk arrin dot të bëjë një përshkrim që mund të shërbejë si një identikit për zbulimin e autorit të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›