E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria i kërkon shpjegime Prokurorisë për valët magnetike

Ministria e Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë i kërkon llogari Prokurorisë për pushimin e dosjes penale të hapur pas padisë së një shtetasi, i cili pretendon se bombardohet nga rreze elektromagnetike. Pak ditë më parë mësohet se në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur një shkresë zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, ku kërkohej informacion në lidhje me padinë penale të bërë nga shtetasi Bledar H., rreth 37 vjeç, nga Durrësi, banues i përkohshëm në kryeqytet. Organi i akuzës mësohet se kishte pak javë që kishte vendosur pushimin e hetimeve për padinë e këtij shtetasi. Ngjarja ka ndodhur pasi qytetari në fjalë ka bërë kallëzim në Prokurori, ku ka pretenduar se nervozohet me njerëzit pa shkak, humbet kontrollin në ambientin e punës, nuk ka durim të punojë etj. Në kallëzimin e bërë prej tij në Prokurori, shtetasi Bledar H. ka pretenduar se ka studiuar problemin nga i cili vuan dhe ka arritur në përfundimin se gjithçka ndodh nga bombardimi me valë elektromagnetike nga një “qendër valësh që e ndjek në lëvizjet e tij”. Prokuroria, pas kallëzimit penal të këtij shtetasi, ka vendosur fillimin e hetimeve dhe e ka marrë në pyetje autorin e padisë. Ai ka këmbëngulur se bombardohet me valë dhe se kjo gjë po i shkatërron marrëdhëniet familjare e shoqërore, pasi nervozohet pa shkak dhe humb kontrollin. Grupi i hetimit mësohet se e ka marrë në pyetje gjatë këtë person, të cilit i janë kërkuar shpjegime për pretendimet e tij. Kallëzuesit i është kërkuar të shpjegojë konkretisht valët dhe qendrën e tyre, por në mungesë të provave, fakteve dhe shpjegimeve konkrete, organi i akuzës se ka vendosur pushimin e hetimeve, pasi fakti nuk provohet. Burimet nga Prokuroria kanë thënë se një kopje e vendimit të pushimit të marrë rreth fundit të muajit korrik i është nisur me postë edhe autorit të kallëzimit. Ai ndërkohë kishte bërë ankesë në Ministrinë e Drejtësisë, ku me anë të një letre ka bërë të ditur se Prokuroria nuk e ka njoftuar për vendimin e marrë në lidhje me padinë e tij dhe ka vendosur mbylljen e dosjes së krimit të rëndë, sipas tij. Ministria e Drejtësisë, javën e parë të muajit shtator, ka kërkuar shpjegime me shkrim nga Prokuroria në lidhje me këtë ngjarje. Burimet e Ministrisë nuk ishin në gjendje të shpjegonin nëse kishin dijeni për përmbajtjen e kallëzimit të bërë nga qytetari nga Durrësi. Megjithatë, Ministria kishte kërkuar shpjegime nga Prokuroria se çfarë ka ndodhur me kallëzimin, nëse janë vazhduar hetimet, në çfarë faze janë; nëse janë pushuar, për çfarë shkaku është marrë një vendim i tillë dhe përse nuk është njoftuar personi. Prokuroria i ka kthyer përgjigje Ministrisë, duke thënë se ka kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore. “Me mundësitë dhe kushtet që kemi nuk u konstatuan dot “valët” që pretendonte kallëzuesi. Në mungesë të pajisjeve specifike që do ta realizonin këtë, kallëzimi penal është pushuar. Një kopje e vendimit i është dërguar me postë autorit të padisë”, ka shpjeguar Prokuroria.            tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›