Grabitet me armë karburanti, kapet një i dyshuar

Persona të maskuar dhe me armë plagosën rojen, ndërsa policia arrestoi një prej tyre pas ndjekjes
TIRANE- Grabitet me armë pika e karburantit në rrugën kombëtare Tiranë- Dajt. Patrullat e policisë së komisariatit, nr.4, ndalojnë një të dyshuar ndërsa personi tjetër arrin të largohet duke shfrytëzuar errësirën. Gjatë grabitjes mbetet i plagosur roja i karburantit i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Edmond Ndoci, 23 vjeç, banues në Laç, u arrestua nga blutë e komisariatit nr.4, në flagrancë për grabitjen me armë të një karburanti, në bashkëpunim me një person tjetër, për të cilin policia pohon se ka të dhëna mbi identitetin e tij. Ai mendohet se ka mundur të marrë edhe paratë e vjedhura, rreth 250 mijë lekë të reja duke u larguar bashkë me to. Ngjarja ndodhi mesnatën e të premtes rreth orës 02:30, duke u gdhirë dita e djeshme.
Në këtë kohë dy persona të armatosur dhe të maskuar iu afruan një pike karburanti që ndodhet anës rrugës së segmentit Tiranë- Dajt, ku mundën të merrnin një sasi të konsiderueshme nga pika e karburantit. Fillimisht autorët sulmuan rojen e objektit, Halil Doçin, 65 vjeç duke e neutralizuar atë dhe më pas nën kërcënimin e armëve, personat tentuan t'i merrnin rojes shumën e parave të arkëtuara gjatë turnit të natës.
Nga përplasja me autorët e krimit, Doçi mbeti i plagosur lehtë në këmbë dhe tashmë ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas këtij krimi autorët tentuan të largoheshin, por janë diktuar nga një autopatrullë e komisariatit nr.4 që janë vënë në ndjekje të tyre.
Nga ndjekja e patrullës, autorët e dyshuar të krimit janë ndarë dhe policia ka mundur të ndalojë njërin prej tyre, dhe kjo ka bërë që patrulla të arrestonte vetëm njërin prej tyre Edmond Ndocin, 23 vjeçar
Menjëherë ai është izoluar në ambientet e komisariatit të policisë nr.4, ku është "paketuar" i gatshëm për zyrën e hetimit të grabitjeve.
Ndërkaq policia ende nuk ka identifikuar bashkëpunëtorin e të dyshuarit, por dyshimet e tyre janë drejtuar mbi disa persona të përfshirë në vjedhje dhe grabitje dhe që kanë lidhje shoqërore me të arrestuarin.
Nga hetimet e kryera policia ka mundur të administrojë në cilësinë e provës materiale një gëzhojë në vendin e ngjarjes, ku mbeti i plagosur roja 65- vjeçar Halil Doçi.
Këtij të fundit hetuesit i kanë marrë një dëshmi ku ka rrëfyer ngjarjen e ndodhur, si sulmin ndaj tij dhe përshkrimin fizik të agresorëve. Pas marrjes së dëshmisë së punonjësit të shërbimit të karburanit, policia i ka komunikuar të arrestuarit në flagrancë akuzën e grabitjes me armë, plagosjes me armë zjarri dhe të armëmbajtjes pa leje. Të tri këto vepra, sipas burimeve të policisë, i arrestuari akuzohet se i ka kryer në bashkëpunim me një person tjetër që është në kërkim tashmë.