E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vetëmbytur në Osum një 65-vjeçar nga Berati

BERAT - Prej 4 ditësh ishte larguar nga shtëpia, por është gjendur i mbytur në ujërat e lumit Osum. 65-vjeçari Xhemal Kamberi është gjetur paraditen e djeshme, në afërsi të fshatit Sheq-Gajdë në komunën e Poshnjes, aty ku lumi Osumi bashkohet me Devollin dhe Semanin.


Xhemal Kamberi, i cili banonte në lagjen "Çlirim" në qytetin e Beratit, jetonte prej vitesh i vetëm për arsye të emigrimit të dy fëmijëve të tij në Itali.


Mendohet që vetmia të jetë edhe shkaku që e ka detyruar të moshuarin të marrë vendimin e vetëmbytjes në lumë. Të fundit që e kanë parë Kamberin gjallë kanë qenë nipërit e tij, të cilët kanë komunikuar me të pasditen e katër ditëve më parë kur e kanë gjetur të ulur tek Ura e Goricës.


Më pas të afërmit kanë konstatuar se 65-vjeçari nuk është kthyer më në banesë, ndaj të shqetësuar kanë njoftuar policinë për mungesën disaditore të xhaxhait të tyre.


Forcat e policisë kanë kërkuar përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Osum dhe e kanë gjetur kufomën e 65-vjeçarit në bregun e lumit në fshatin Sheq-Gajdë të komunës Poshnjë, rreth 30 km larg nga ujërat e lumit Osum ku ai është hedhur për t'i dhënë fund jetës "në kushtet e dëshpërimit të thellë për shkak të mungesës së fëmijëve që ndodhen në emigracion", pohojnë të afërm të të ndjerit.


Trupi i pajetë i 65-vjeçarit është përcjellë për në morgun e Spitalit Rajonal të qytetit të Beratit, ku edhe i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore nga e cila ka rezultuar se viktima është mbytur dhe se në trupin e tij nuk ka shenja dhune.


Policia e Beratit pohon se Kamberi mund të jetë vetëvrarë në kushte të një depresioni dhe hedh poshtë çdo dyshim të një vrasjeje të qëllimshme pasi në rrobat e tij nuk janë gjetur shenja dhune, veç 10 mijë lekë dhe 2 celularë, që i kishte pasur me vete kur është larguar nga banesa.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›