E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet për të tretën herë brenda vitit arka e ujësjellësit

Grabitësi largohet me 1 milion lekë të vjetra, në Kombinat një tjetër grabitës vjedh me armë pikën e internetit

Grabitet për të tretën herë rresht e njëjta pikë pagese faturash e ujësjellësit, ndërsa grabitësi ka arritur t’ia mbathë sërish. Një grabitje e përsëritur me armë ka ndodhur mesditën e djeshme në një pikë të pagimit të faturave të ujësjellës kanalizimeve në kryeqytet edhe pse disa metra më larg ndodhej një automjet policie i parkuar. Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Bako Dervisha’, në afërsi të Shkollës së Baletit, rreth orës 13:40 dhe grabitësi ka mundur të përfundojë “punën e tij” i pa shqetësuar dhe ka dalë me 1 milion lekë të vjetra të vjedhura. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje, nga dëshmitë e para bën me dije se grabitësi ka kërcënuar me armë zjarri tip pistoletë punonjësen e kësaj pike, e cila e traumatizuar i ka dhënë kërcënuesit të gjithë shumën që dispononte arka. Mësohet se në këtë pikë arkëtimi faturash të ujësjellësit në momentin e grabitjes ndodhej vetëm arkëtarja, e cila është përballur me grabitësin e vetme. Mësohet se grabitësi, rreth 1.60 cm i gjatë, kishte veshur një bluzë të zezë me xhinkse, dhe mbante në kokë vetëm një kapele. Grabitësi është paraqitur me një qese të zezë në dorë dhe nën kërcënimin e pistoletës ka kërkuar gjithë sasinë e parave që ndodheshin në arkë dhe dyshohet se ai është larguar me një shumë prej 1 milion lekësh të vjetra, por ende nuk është bërë i gjithë inventari i sasisë së parave që ndodheshin në këtë pikë Punonjësja, e cila nuk ka pësuar lëndime, po merret në pyetje, ndërkohë që në hetimet e policisë janë përfshirë edhe dëshmitarë të rastit, apo kamerat që ndodheshin në lokalet rreth pikës së arkëtimit, të cilat mund të ndihmojnë në një identikit të grabitësit. Uniformat blu janë vënë menjëherë në punë për të zbardhur ngjarjen si dhe kapjen e autorit. Mësohet se kjo nuk është grabitja e parë që ka ndodhur në këtë pikë, pasi, sipas policisë, ajo rezulton të jetë grabitur edhe dy herë të tjera. Në të tre rastet grabitësit ia kanë dalë paq dhe kanë arritur të largohen pa u kapur dot nga uniformat blu. Punonjësja e traumatizuar e pikës së arkëtimit të faturave ka dëshmuar për policinë se grabitësi e ka shtyrë dhe e ka detyruar menjëherë nën kërcënimin e pistoletës të transferonte të gjithë lekët e arkës në qesen e zezë që i dorëzoi vetë grabitësi. Pas grabitjeve të bankave dhe të pikave të këmbimit valutor, njësitë e pagimit të faturave të ujësjellësit dhe energjisë elektrike janë bërë gjahu më i preferuar i grabitësve. Këto pika shpesh ndodhen në zyra të improvizuara dhe tërësisht jashtë normave të sigurisë, duke përbërë një shënjestër të mirë për hajdutët. Por duket se dita e djeshme në Tiranë ka qenë një ditë “pune intensive” për hajdutët, pasi në orët e para të mëngjesit të djeshëm është vjedhur një pikë internet-kafe në Kombinat, ku mësohet se grabitësit janë larguar me një shumë prej 500 mijë lekësh të vjetra. Statistikat e policisë tregojnë se çdo ditë në kryeqytet ndodhin mesatarisht dy vjedhje nën kërcënimin e armëve, ndërsa shënjestrat më të preferuara të grabitësve ngelen zyrat apo institucionet ku kryhen transaksione financiare ose bëhen pagesa mallrash dhe shërbimesh.

H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›