Minatorët dalin nga greva e urisë, të hënën nis prodhimi i kromit
Taf Koleci ka pohuar se rritja e pagës së minatorëve do të nisë që nga data 1 tetor, ndërsa priten të bëhen investime për të përmirësuar situatën e tyre
BULQIZË Ndërpritet greva e urisë së nëntë minatorëve të Bulqizës. Madje, në përfundim të saj, është organizuar një takim me minatorët. Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, e ka vënë theksin në plotësimin e shumicës së kërkesave të 700 minatorëve. Pasi është interesuar për shëndetin e çdo minatori grevist, Koleci është shprehur se të hënën do të nisë puna në minierë dhe se nga 1 tetori rroga e minatorëve do të jetë 20 për qind më e lartë për të gjitha profesionet.
Situata
Ai garantoi minatorët se kompania e huaj do të kryejë investime në thellësinë e minierës, duke hapur perspektivën e saj në vitet e ardhshme. Koleci pohoi se kushtet e punës së minatorëve do të përmirësohen ndjeshëm dhe çdo investim do të bëhet publik për minatorët e Bulqizës. “Dy nga kërkesat tona nuk u plotësuan nga kompania ACR. Drejtori do të mbetet në detyrë dhe është në provë për tre muaj, ndërsa paga e muajit të tretë do të jepet në një moment të dytë. Firma na ka garantuar se pagat e dy muajve do të hidhen në numrat e llogarive të 700 minatorëve brenda pesë ditëve. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes ekonomike të shumicës së minatorëve”, deklaroi për “Mapo”-n, Taf Koleci. Pritet që ditën e hënë minatorët të “ngujohen” në frontet e tyre të punës, për të nisur përgatitjen e tyre për prodhimin e kromit. Drejtuesit e kompanisë ACR kanë urdhëruar marrjen e të gjitha masave teknike për sigurimin e galerive. “Ndërprerja e punës për tre muaj ka ndikuar negativisht në të gjitha galeritë ku prodhohet krom. Ndaj specialistët e avari-shpëtimit do të tregojnë kujdes të veçantë në sigurimin e jetës së minatorëve, pasi repartet e punës janë amortizuar e kërkojnë ndërhyrje para fillimit të punës”, shtoi Koleci.
Kushtet
ACR ka deklaruar se është arritur marrëveshje me minatorët, ndërsa sot pritet që minatorët e ngujuar në një lokal të marrë me qira të lënë përfundimisht grevën. Në një njoftim për shtyp të kësaj kompanie thuhet se “ACR, siç ka premtuar gjatë gjithë kësaj kohe, do të rrisë pagat e punëtorëve me 20%, do përmirësojë kushtet e punës, dhe do të sigurojë transparencë të plotë për investimet në minierë. Gjithashtu, për të treguar mirëbesimin e saj dhe për të ndihmuar minatorët të përballojnë gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhen, ACR do të paguajë 22 ditë të lejes së zakonshme dhe do të japë pagën e 13-të. Marrëveshja u nënshkrua nga Kreu i Federatës Sindikale të Punëtorëve Industrialistë, Taf Koleci”.
P. HASA