Grabitet taksisti në Kamëz
Etleva Delia
Dy persona të paidentifikuar ushtruan dhunë e më pas grabitën një taksist në Kamëz, periferi e Tiranës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 pas mesnatës së djeshme, ndërsa policia është lajmëruar më pas nga taksisti 50-vjeçar Idajet Shehu. Menjëherë pas ngjarjes ai ka njoftuar shërbimet e policisë të Komisariatit Nr.5. Sipas burimeve nga policia mësohet se dy personat e paidentifikuar, i kanë marrë me anë të forcës makinën me targa TR 035 C, 50-vjeçarit, Idajet Shehu, pasi e kanë rrahur. Fillimisht e kanë mbajtur në makinë, pasi e kanë rrahur, e kanë hedhur në tokë në afërsi të Tapizës e më pas ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës. Pasi e ka parë veten në tokë, Shehu ka telefonuar menjëherë sallën operative dhe policia ka shkuar në vendin e ngjarjes. Idajet Shehu ka treguar për oficerët e policisë se dy personat që i rrëmbyen makinën kanë qenë në moshë të re, pa maska dhe armë, por ai nuk ka arritur që të njohë asnjërin prej tyre. Shehu ka mundur vetëm që të bëjë përshkrimin e tyre, në mënyrë që policia të ketë një identikit të përafërt për secilin. Menjëherë sapo kanë marrë informacionet paraprake, efektivat e Komisariatit Nr.5, kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, si dhe kanë njoftuar kolegët e Krujës, pasi sipas deklarimeve të së dëmtuarit, dy grabitësit kanë lëvizur me taksinë e tij, në drejtim të Fushë-Krujës. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia e Krujës, rreth dy orë pas ngjarjes është gjetur makina e braktisur në Thumanë. Policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, duke marrë dëshminë e shoferit të taksisë dhe ka bërë një identikit për dy personat e dyshuar, që nuk ishin njohur nga 50-vjeçari Idajet Shehu. Efektivat e policisë së kryeqytetit tashmë janë vënë në punë për identifikimin dhe kapjen e dy të dyshuarve. Burime nga policia sqaruan se ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, pasi dy të rinjtë nuk i kanë vjedhur asgjë taksistit.