E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëshimi i obligacioneve afatgjata në euro, zgjidhje për të stabilizuar kursin

FORUMI/ Flet Artan Gjergji, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës

Një nga mënyrat për të rritur praninë e euros në treg dhe për të stilizuar kursin e këmbimit është emetimi i obligacioneve në valutë, e cila do të joshë tërheqjen e dërgesave të emigrantëve. Ky është mendimi i shprehur nga M. A. Artan Gjergji, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, në forumin e organizuar nga gazeta “Albania”. Po ashtu, duhet të nxiten politikat e eksporteve, marrja e kredive në valutë nga qeveria dhe forma të tjera. Duke konstatuar forcimin e ndjeshëm të euros në këmbimin me lekun, Gjergji thotë se do të kishte pasoja jo të vogla për ekonominë nëse monedha europiane do të arrinte të shkëmbehej në nivelin e 135 lekëve.

Prej më shumë se një viti vihet re një forcim i vazhdueshëm i euros. Madje edhe në këto kohë, kur ka një fluks të madh prurjesh në valutë nga sezoni turistik dhe kthimi i emigranteve. Cilat janë shkaqet e kësaj situate?
Fillimisht duhet theksuar se për aq kohë sa çmimi i çdo të mire në treg përcaktohet në bazë të kërkesës dhe ofertës dhe kërkesë për ate mall, edhe monedha e huaj kryesore në vendin tonë, euroja, ka një treg të caktuar, ku kërkohet dhe ofrohet nga operatorët ekonomikë që e përdorin në transaksionet e tyre. Për rrjedhojë, fakti që ka një “forcim” të euros (zhvlerësim të monedhës vendase, lekut, karshi euros) duhet të vijë kryesisht për dy faktorë; së pari, për rrjedhojë të forcimit të euros në tregjet ndërkombëtare (çka nuk rezulton të ketë ndodhur për periudhën në fjalë) dhe, së dyti, për shkak të rritjes së kërkesës apo reduktimit të ofertës në tregun vendas, siç ka ndodhur edhe në Shqipëri. Për shkak se ekonomia shqiptare është një ekonomi në ekspansion dhe, si e tillë, ka pësuar një rritje të kënaqshme prej mesatarisht 6 përqindësh në vit, përgjatë dekadës së fundit, edhe kërkesa për importe (faktori kryesor që ndikon në rritjen e kërkesës për euro) nga vendet e BE-së është rritur vazhdimisht me një normë konstante, duke e mbajtur kërkesën në një trend rritës. Megjithatë, duhet thënë për shkak të krizës financiare ndërkombëtare dhe rënies së çmimeve të lëndëve të para në tregjet e BE-së (nga ku Shqipëria realizon rreth 88% të transaksioneve ekonomike), gjatë vitit të fundit ka pasur një rënie të lehtë të kërkesës për euro.
Forcimi i euros në periudhën në fjalë, rënia e ofertës në tregun vendas, ose e thënë ndryshe, një lloj “mungese” e këtij instrumenti në treg, sipas gjykimit tim, ndodh për disa shkaqe:
- Shkaku më i rëndësishëm mbetet rënia drastike e dërgesave të emigrantëve e ndikuar kryesisht nga kriza e vendeve të punës në vendet ku jetojnë (vende të BE-së), por edhe nga faktorë të tjerë që dihen dhe që studiohen në shkencat ekonomike si ndryshimi i mënyrës së jetesës, emigrantët fillojnë dhe ambientohen me vendin pritës, investojnë atje në prona të luajtshme (makina, shkolla për fëmijët etj.) apo të paluajtshme (shtëpi banimi, biznese etj.).
- Rënia e investimeve të huaja direkte drejt të vendit tonë jo për shkak të Shqipërisë në vetvete, por për shkak të krizës ndërkombëtare, e cila ka zvogëluar portofolat e investimeve për investitorët e huaj të kapitalit.
- Një pjesë e mirë e investimeve publike realizohen në Shqipëri nga firma të huaja, të cilat kur riatdhesojnë fitimet apo paguajnë punonjësit e tyre, rrisin kërkesën për valutë të huaj (kryesisht euro) duke pakësuar sasinë e saj në treg.
- Rritja në nivele mjaft modeste e eksporteve shqiptare, të cilat do të zgjeronin ofertën e valutës së huaj duke sjellë më tepër euro në treg.
- Lufta që ka bërë Shqipëria kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve (kryesisht me presionin e partnerëve ndërkombëtarë dhe detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në strukturat euroatlantike) kanë bërë që të reduktohen në një masë jo të paktë të ardhurat në valutë që hynin në ekonominë e vendit në rrugë informale nga këto burime.
Përveç këtyre faktorëve, po të shtojmë edhe rritjen jashtë mase të shpenzimeve publike në 6-mujorin e parë të viti 2009, çka përkthehet në rritje të ofertës dhe, për rrjedhojë, rritje të sasisë së monedhës vendase në treg, ka krijuar presione për zhvlerësimin e lekut. Kjo ka qenë një tjetër faktor që e ka nxitur të ashtuquajturin “forcim të euros karshi monedhës vendase.
Pavarësisht një “bumi” në turizmin vendas, i cili normalisht i ka reduktuar pak efektet e mësipërme pasi ka futur në ekonominë e vendit sasi të konsiderueshme valute, përsëri është një fakt që duhet pranuar: tregu vendas është i uritur për valutë të huaj (kryesisht euro).

A mendoni se procesi i zhvlerësimit të monedhës tonë do të vazhdojë edhe gjatë vjeshtës?

Për të gjitha arsyet që thashë më sipër mendoj që në tregun vendas do të vazhdojë edhe ca kohë të mungojë valuta e huaj. Kjo të paktën derisa flukset e të ardhurave nga emigrantët t’u kthehen ritmeve normale. Gjithashtu, këtë periudhë do ketë edhe një rënie të konsiderueshme të investimeve dhe shërbimeve publike, çka do të ketë një tendencë të lehtë balancuese. Por, në anën tjetër, fakti që tashmë Shqipëria, përveç INSIG-ut, nuk ka përpara më asnjë privatizim strategjik (i cili mund të sillte një fluks të konsiderueshëm valute të huaj), të bën të mendosh që situata aktuale pritet të vazhdojë.
Nëse do të më duhej të bëja një parashikim do të thosha që shpresoj që kursi i këmbimit të lekut me euron të mos e kalojë pikën kritike të 1 euro = 135 lekë, pasi kjo mund të krijojë edhe një efekt negativ të perceptuar, duke krijuar panik tek operatorët ekonomikë dhe duke u hapur rrugë abuzimeve nga manipulues të ndryshëm në treg.

Çfarë roli duhet të luajnë në këto momente institucionet: A duhet të ndërhyjnë në treg BSH-ja në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke futur euro në qarkullim? Apo duhet të gjenden forma të tjera për të nxitur qëndrueshmërinë e monedhës?

Pa dyshim, është për t’u përshëndetur sinjali që dha Banka e Shqipërisë pas mbledhjes së fundit të Këshillit të saj Mbikëqyrës për një politikë të vendosur dhe aktive në drejtim të dekurajimit të luhatjeve të mëdha në kursin e këmbimit. Një politikë e tillë monetare “ndërhyrëse” do të krijojë stabilitet pa ndikuar negativisht në mekanizmat bazë të tregut që janë kërkesa dhe oferta.
Gjithsesi, për mendimin tim duhen gjetur edhe mënyra të tjera aktive për të rritur ofertën në euro në mënyrë që ekonomia e vendit të funksionojë në mënyrë normale. Këtu do të veçoja politikat për nxitjen e eksporteve, vazhdimin e politikës së ndjekur nga Ministria e Financave për t’u kredituar (marrë borxh) në valutë të huaj nga tregjet ndërkombëtare. Gjithashtu mendoj që duhet të përdoren edhe instrumente të tjera, të cilat do të joshnin tërheqjen e remitancave të emigrantëve nga vendet ku ata jetojnë. Kështu, bazuar nga eksperiencat e disa vendeve latine, të cilat emetonin obligacione në dollarë, specifikisht për emigrantët që jetonin në SHBA, apo Turqia, që emeton ende obligacione në euro për të tërhequr valutën nga emigrantët që jetojnë në Gjermani. Një politikë e tillë mund të aplikohet mjaft mirë nga Shqipëria, duke emetuar obligacione afatgjata të nominuara në euro për emigrantët tanë që jetojnë në Itali dhe Greqi, por jo vetëm.

Zhvlerësimi i lekut ka shkaktuar pasoja të ndjeshme në xhepat e qytetarëve. Nëse ata duan të depozitojnë para apo të marrin kredi në këto kushte, në cilën valutë duhet të operojnë?

Sa i përket aspektit të kursimit (depozitat bankare) apo investimit, të gjitha teoritë ekonomike predikojnë për portofola të diversifikuar si mënyra më e mirë për të reduktuar risqet. Me fjalë të tjera, është mirë që publiku të mbajë njëkohësisht kursime edhe në monedhë vendase, edhe në monedhë të huaj, duke reduktuar mundësitë e humbjeve në nivele të larta.
Nga ana tjetër, në të gjitha literaturat që flasin për zhvillimin e tregjeve financiare këshillohet që operatorët ekonomikë duhet t’i marrin kreditë kryesisht në valutat me të cilat kanë edhe të ardhurat. Kjo ndodh për shkak se duke vepruar në mënyrë të tillë ata do të shmangin krejtësisht rrezikun që vjen nga luhatjet e kursit të këmbimit. Pikërisht këtë problem po hasin edhe individët apo bizneset shqiptare, të cilat, edhe pse i kanë të ardhurat në lekë, kanë marrë kredi në valutë të huaj. Për rrjedhojë, për të njëjtin nivel kësti kredie, paguajnë çdo muaj shuma më të mëdha në lekë pasi duhet t’i konvertojnë ato me kursin aktual që ka në treg euro me lekun.

TREGU I BONOVE TË THESARIT

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.10%
12M 12-mujor 7.97%
6M 6-mujor 6.88%
3M 3-mujor 5.91%
1M 1-mujor 5.69%
1Ë njëjavor 4.87%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.90%
1Ë njëjavor 6.30%
o/n njëditor 6.55%
12M 12-mujor 9.43%
6M 6-mujor 8.31%
3M 3-mujor 7.33%

Burimi: Banka e Shqipërisë: Përditësimi i fundit: 01.09.2009

Kursi i këmbimit.

Dollari Amerikan USD 93.05 +0.71
EURO EUR 132.31 0.00
Paundi Britanik GBP 150.34 +0.48
Franga Zvicerane CHF 87.22 -0.05
Jeni Japonez (100) JPY 100.52 +1.32
Dollari Australian AUD 77.20 +0.06
Dollari Kanadez CAD 84.30 -0.01
Ari(OZ 1) XAU 88752.28 +1,063.97
Argjend(OZ 1) XAG 1380.88 +12.44

Përditësimi i fundit: 12:06:00, 02.09.2009

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›