E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shkarkon dy prokurorët e Kurbinit

 

TIRANE – Presidenti Bamir Topi firmosi dje shkarkimin nga detyra për dy prokurorët e Kurbinit, Tom Deda dhe Bardhyl Shehu. Dekretet janë bërë publike dje në faqen zyrtare të Presidencës, ku konfirmohet se dokumenti i nënshkruar nga kreu i shtetit, hyn në fuqi menjëherë. Shkarkimi i dy prokurorëve është bërë me propozim të Kryeprokurores Ina Rama. Kjo e fundit në korrik 2009 mori nga Këshilli i Prokurorisë, propozimin për shkarkim ndaj dy prokurorëve të Kurbinit. Procesi ndaj tyre filloi në fund të vitit 2008 pas një kontrolli të drejtorisë së Inspektimit të Prokurorisë së Përgjithshme, në prokurorinë lokale. Në raportin e tyre, kontrollorët e Prokurorisë së Përgjithshme i fajësuan dy prokurorët, tashmë të shkarkuar, për probleme në hetimin e çështjeve, konkretisht në masat e dënimit të kërkuara e të dhëna në gjykatë, në pushimin ose pezullimin e dosjeve penale. Pasi mori raportin e kontrollit, Këshilli i Prokurorisë i thirri dy prokurorët për të dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me shkeljet e konstatuara. Për disa javë prokurori Tom Deda nuk u paraqit në Këshill ndërsa më pas në një deklaratë publike, ai tha se procedimi ndaj tij është i paligjshëm dhe tendencioz. Sipas tij, Prokuroria e Përgjithshme i kishte ndërprerë rrogën në një kohë kur ende nuk ishte marrë një vendim, ndërsa kontrolli është kryer jashtë kushteve ligjore.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›