Yassin Kadi dëshmi nga Arabia: Bëra biznes në Shqipëri në vitin 2001
TIRANE - “Unë nuk e kam vizituar Shqipërinë që nga viti 2001. Natyrisht që kur u ngrinë asetet e mia në vitin 2001 unë nuk kam udhëtuar askund jashtë Mbretërisë së Arabisë Saudite. Për sa kam unë dijeni administratori i përgjithshëm Hamza Aby Rayyan asnjëherë nuk është marrë me ndonjë transaksion të padrejtë ose të paligjshëm dhe ka vepruar gjithnjë në pajtueshmëri të plotë me ligjet dhe rregullat aktuale që aplikohen në Shqipëri”. Yassin Kadi, biznesmeni saudit i hetuar dhe i shpallur i pafajshëm për financim terrorizmi ka shfajësuar totalisht vetveten dhe administratorin e tij në Tiranë Hamzeh Aby Rayyan me përgjigjet e letërporosisë, që u ka kthyer autoriteteve shqiptare të Gjykatës së Krimeve të Rënda rreth një muaj më parë. E konsideruar si provë kyçe për procesin ndaj Aby Rayyan, administratorit të pronave të Kadisë në Shqipëri, letërporosia është dërguar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa rreth dy muaj më parë Kadi iu është përgjigjur pyetjeve në Gjykatën e Jeddah në Arabinë Saudite. Prej rreth dy vitesh Aby Rayyan vazhdon të gjykohet nga Krimet e Rënda për fshehje të pasurisë, e cila administrohet nga Ministra e Financave. Ndërkohë vetë Yassin Kadi u hetua në disa vende të Evropës për “financim terrorizimi” dhe iu pushua çështja, pasi nuk gjetën prova që të vërtetonin akuzat ndaj tij. Kadi vazhdon se: “Përsa unë jam në dijeni Hamza Aby Rayyan nuk ka fshehur ose zhdukur asgjë. Unë jam në dijeni se shoqëria “Loxhall” sh.p.k., pati afërsisht 140 mijë euro për atë vit. Rreth 60 mijë euro u futën në bankë. Pjesa e mbetur rreth 80 mijë euro, afërsisht u mbajt në dorë nga Aby Rayyan për shpenzime të parashikueshme dhe shpërndarje për të mbuluar taksat që paguhen, shpenzime për gjyqet që vazhdojnë, legalizimin dhe përkthimin e dokumenteve që nevojiten për t’u paraqitur nëpër gjyqe dhe pranë dikastereve shtetërorë në Shqipëri, shpenzime të tjera për hetime në vazhdim, taksat dhe pagat e avokatëve, për të punësuarit ose pagesa e Aby Rayyan duke përfshirë pjesën e tij të fitimit prej 30 për qind, shpenzimet e udhëtimit të punës, ose shpenzimet e mirëmbajtjes së shoqërisë”. fa.ma.