E Diel, 1 Nëntor 2026

Varroset në mister biznesmeni

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Me misterin ende të pazgjidhur për vrasësit e tij dhe motivet që i shtynë ata drejt krimit makabër, 39-vjeçari Genci Habazaj është përcjellë paraditen e djeshme në banesën e fundit. Drejt fshatit Tërbaç të Vlorës udhëtuan qindra familjarë e të njohur të viktimës. Mes tyre dhe ish-bashkëshortja që u nis nga Italia, me djalin 14-vjeçar si dhe bashkëpronari italian në aktivitetin privat që Habazaj ushtronte në shtetin fqinj. Vëllai i madh, Alberti, në fjalën e tij para ceremonisë mortore i ka bërë thirrje shtetit të gjejë vrasësit e njeriut të dashur. “Ne kemi besim se shteti dhe drejtësia do të zbardhë këtë krim të shëmtuar, si dhe do të vërë para drejtësisë kriminelët e vrasjes së vëllait tonë, i cili punonte dhe jetonte në Itali prej vitesh duke mbijetuar me punën e tij të ndershme dhe pa bezdisur askënd. Jemi të shokuar dhe tepër të tronditur nga ky krim makabër. Genci nuk i ka bërë keq askujt, nuk i ka pasur borxh askujt, si dhe nuk i ka rënë në qafë askujt. Ka parë punën e tij dhe familjen e tij”. Në emër të familjes Habazaj, vëllai i Gencit, i ka bërë apel shtetit dhe drejtësisë para varrit të tij të gjejë autorët e vrasjes të tij. “Kemi besim se ky krim do të zbardhet sa më shpejt”, është shprehur ai.
Ceremonia mortore
Rreth orës 11:00 është kryer ceremonia mortore e 39-vjeçarit Genci Habazaj. Ai u zhduk që prej së premtes në darkë, për t’u gjetur i vrarë e i djegur pas torturës, në një fshat të Fierit. Banesa e fundit e biznesmenit do të jetë fshati Tërbaç, aty ku ai lindi. Mes familjarëve e shokëve merrnin pjesë dhe deputetë të zonës, bashkëpronari italian, së bashku me pjesëtarë të tjerë të firmës. Një prej pjesëtarëve të fisit, me moshë më të vjetër, falënderoi të gjithë të pranishmit që morën pjesë në këtë ceremoni të dhimbshme të njeriut të dashur të tyre dhe përcjelljen e tij në banesën e fundit. “Genci rrjedh nga një familje patriotike, e edukuar dhe me kulturë. Ka qenë djalë i dashur dhe korrekt me shoqërinë. Mbante familjen me punë të ndershme, por jetën e tij e prenë në mes, në kulmin e jetës dhe moshës së tij, nga kriminelë të pamëshirshëm”, u shpreh ai. Gratë, e mbuluara nga të zezat, kanë derdhur lotët gjatë të gjithë ceremonisë. Në fjalët e tyre të vajit, ato lëshonin akuza ndaj të ashtuquajturve shokë, sipas tyre, që i morën jetën Gencit. Ndonëse jo me emra konkretë, ato këmbëngulnin, ashtu si dhe vëllezërit e viktimës, se vrasësit ishin personat që Genci i njihte dhe u besonte. Pranë trupit të pajetë të 39-vjeçarit ndodhej dhe ish-gruaja, e ardhur enkas nga Italia. Asaj i ka rënë të fikët në momentin e lamtumirës së fundit, çka ka bërë që të afërmit t’i japin ndihmën e shpejtë dhe ta transportojnë drejt shtëpisë.
Policia në mort
Gjatë ceremonisë së djeshme kanë qenë të pranishëm dhe punonjës të policisë kriminale, të cilët mësohet se kanë vëzhguar të gjitha lëvizjet e personave pjesëmarrës në ceremoni si dhe zonën përreth. Sipas të dhënave mësohet se ata kanë kryer dhe filmime nga procesi, i cili mund t’i ndihmojë gjatë veprimeve hetimore që po kryejnë. Vëllezërit e Genci Habazajt kanë reaguar të parët, duke hedhur dyshime mbi autorët e mundshëm të krimit ndaj njeriut të tyre. Sipas vëllait të madh, Genci është futur në kurth nga shokë të tij, atyre që u besonte. Prandaj ka dalë i shkujdesur të premten, për të mos u kthyer më i gjallë. Këtë dëshmi ata e kanë dhënë dhe në polici, ku priten të thirren sërish pas gjetjes së provave të para.

Hetuesit: Krimi është i sofistikuar, duhet kohë për zbardhjen e tij
VLORE – Hetimi për krimin makabër ndaj Genci Habazajt ndodhet në duart e Prokurorisë së Vlorës. Për shkak të mungesës së provave dhe ngritjes së një sërë pistash mbi shkaqet e rrëmbimit e më pas ekzekutimit të biznesmenit 39-vjeçar, mësohet se janë ngritur disa grupe pune, duke përfshirë një numër të madh personash. “Aktualisht nuk kemi asnjë bazë konkrete mbi të cilën të arrijmë një pistë të vetme e të kërkojmë prova rreth saj. Ajo që mund të themi është se po hetojmë në disa pista, për të mos thënë se janë të shumta dhe asnjë prej tyre nuk e përjashtojmë për momentin”, pohojnë burime të prokurorisë. Prej tyre bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme nuk është marrë në pyetje asnjë person, ndonëse pak orë pas gjetjes së kufomës u shoqëruan familjarë dhe shokë të viktimës. “Pasi të ngushtojmë rrethin e pistave të mundshme, do kryejmë dhe shoqërimin e personave për t’u marrë në pyetje me qëllim hedhjen dritë mbi këtë vrasje si dhe të dyshuarve. Do të bashkëpunohet dhe me drejtësinë dhe policinë italiane për të bërë të mundur zbardhjen e vrasjes. Janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës gëzhojat e gjetura në vendngjarje për të përcaktuar nëse ka gjurmë të lëna në gëzhoja apo jo, si dhe përcaktimi i kalibrit të armës që ka kryer para djegies ekze-kutimin e 39-vjeçarit. Nga kjo do të provohet dhe nëse arma është përdorur në një krim tjetër”. Sipas prokurorisë, personat e tjerë që do të merren në pyetje në ditët në vazhdim do të jenë shokë, miq, të njohur që shoqëroheshin me Genci Habazajn ose të tjerë që i takonte për shkak të lidhjes nga puna. Përveç vëllezërve, në pyetje pritet të merret dhe ish-bashkëshortja. Ndonëse divorci mes çiftit ishte bërë rreth 1 para një viti, fakti që ata jetonin në Itali bën që hetuesit të mendojnë se ish-gruaja të dijë mbi marrëdhëniet e Habazajt me personat që e rrethonin. “Është një krim i sofistikuar prandaj duhet kujdes, punë dhe kohë për t’u zbardhur. Nuk duhet shpejtuar. Gjithçka duhet hetuar dhe analizuar me kujdes, për të mos prishur ato pak prova që mund të sigurojmë”, janë shprehur nga grupi hetimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›