Rivlerësim tatimor për rritjen e çmimeve
Tregtarët që do të rrisin çmimet në mënyrë abuzive do të paguajnë më shumë tatime mbi fitimin vitin e ardhshëm. Task-Forca e Bashkisë së Tiranës që po vijon kontrollin e përditshëm në të gjitha tregjet e kryeqytetit, ka konstatuar një tendencë të lehtë të rritjes së çmimit për ndonjë produkt të ardhur kohët e fundit apo të ri. Por, gjatë inspektimeve të djeshme në tregun e ‘Uzinës Dinamo’, kreu i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Bashkinë e Tiranës, Geron Ibrahimi, ndërsa u shpreh i kënaqur me ecurinë e deritanishme, paralajmëroi bizneset që rrisin abuzivisht çmimet, se do të kenë si referencë për të paguar tatimet për muajt e ardhshëm të vitit tjetër çmimet që vendosin këtë fundvit. “Shikojmë një tendencë të lehtë të rritjes së çmimit për ndonjë produkt të ardhur kohët e fundit apo produkt të ri. Ne paralajmërojmë subjektet që fusin këto produkte, të një cilësie ndoshta edhe më të lartë, por që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të jenë subjekt i rivlerësimit tatimor për muajt e ardhshëm, ndaj të bëjnë kujdes me rritjen e çmimeve”, - deklaroi Ibrahimi. Ai tha se puna e Task-Forcës po vijon edhe në tregjet më të vogla brenda lagjeve. si dhe në supermarketet e Tiranës.