E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiti bankën me armë si në film

Sulejman Bakalli u vu në pranga vetëm pak orë pasi, me anë të një pistolete, kishte grabitur rreth 3 milionë lekë të vjetra

TIRANË – I është dashur një pistoletë për të kërcënuar e më pas grabitur 300 mijë lekë të reja në një filial banke, të cilat i ka gëzuar vetëm për pak orë. Aventura e Sulejman Bakallit, të riut të arrestuar për grabitjen e degës së “Raiffeisen Bank” në zonën e ish-“Zogut të Zi”, nisi në orët e drekës së djeshme. Sipas burimeve zyrtare policore, në orën 13:50, në sallën operative të policisë së Tiranës është njoftuar se është grabitur me armë dega e bankës “Raiffeisen”, në sheshin “Rilindja”. Me të marrë njoftimin, në vendin e ngjarjes shkuan fillimisht shërbimet e Komisariatit Nr. 3, të cilët kanë rrethuar menjëherë bankën. Më pas kanë shkuar edhe specialistët e rasteve të grabitjeve me armë, agjentët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Armë dhe Dhunë. Pasi është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes dhe janë marrë dëshmitë e punonjësve, përfshirë këtu dhe punonjësen e kërcënuar, e cila i ka dhënë dhe lekët hajdutit, ka rezultuar se ai nuk ka qenë më shumë se 25 vjeç. Pas përshkrimeve dhe dëshmive okulare, policia e identifikoi grabitësin, në bazë të përshkrimit të punonjëses dhe filmimeve të kamerës së sigurisë. Pas këtij momenti, për blutë kryeqytetase duket se ishte më e lehtë puna për kapjen e tij. Në njoftimin për shtyp të policisë së Tiranës, u tha se “rreth orës 13:50, në sheshin “Rilindja” është vjedhur një nga filialet e “Raiffeisen Bank”. Paraprakisht, dyshohet se autori është i seksit mashkull, rreth moshës 20 deri 25 vjeç, i cili në momentin që ka hyrë në ambientet e bankës, ka kërcënuar nëpërmjet pistoletës punonjësen e arkës, duke e detyruar këtë të fundit për të marrë shumën e parave që ndodheshin në arkë, shumë e cila dyshohet të jetë rreth 300 000 lekë.” Ndërkohë që vetëm disa orë pas ngjarjes, dyshimet e policisë u provuan dhe në pranga ka rënë Sulejman Bakalli, ndaj të cilit rëndon akuza e veprës penale të “grabitjes me armë”. Për Sulejman Bakallin, 22 vjeç, kjo nuk është hera e parë për grabitje me armë. Në 4 shtator të vitit 2006, së bashku me dy persona të tjerë ai vodhi 17 milionë lekë të reja, te karburant “Brakaj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›