Mban peng prindërit për tri ditë

LIBRAZHD - Mban peng prindërit për tri ditë. Vetëm një Zot i ka ruajtur prindërit e moshuar të Ardian Kopaçit nga vetë djali i tyre. 31-vjeçari me banim në fshatin Qukës të Librazhdit ka rrahur dhe ka mbajtur peng për tri ditë, duke mos u dhënë as bukë dhe as ujë prindërve të tij, Shaban Kopaçi, 72 vjeç dhe Xhevrie Kopaçi, 63 vjeçe. Burime të policisë së Librazhdit bënë të ditur se kanë arrestuar në flagrancë Ardian Kopaçin, 31 vjeç, me banim në Qukës, pasi dyshohet se për tri ditë radhazi ka rrahur dhe ka dhunuar sistematikisht dy prindërit e tij të moshuar, Shaban dhe Xhevrie Kopaçin. Ai i ka detyruar prindërit që të ngjiten në një dhomë të pabanueshme në katin e tretë të banesë së tij. Pasi i ka lidhur dhe u ka mbyllur gojën, i ka rrahur barbarisht, duke mos u dhënë as bukë dhe as ujë për tri ditë me radhë. Ditën e katërt prindërit kanë mundur të shpëtojnë nga djali mostër. Menjëherë pasi e kanë parë veten të lirë, ata kanë kryer kallëzim penal në polici. Për policinë ka qenë mjaft e besueshme historia rrënqethëse treguar nga dy bashkëshortët në moshë të thyer, pasi në trupat e tyre dukeshin qartë shenjat e dhunës. Sipas grupit hetimor, Ardian Kopaçi ka konsumuar veprat penale të plagosjes së lehtë me dashje dhe heqjes së lirisë së paligjshme të tjetrit.
Ndërsa sipas banorëve të fshatit, Ardian Kopaçi ka kaluar në depresion pas dështimit të fejesës me një vajzë nga fshati Skroskë. Që nga ajo kohë, ai ka manifestuar kriza të skizofrenisë, që kanë qenë me pasoja të rënda edhe për prindërit e tij. Banorët tregojnë se edhe herë të tjera ai ka rrahur prindërit e tij. Bile, për rastet e dhunës së ushtruar nga ana e 31-vjeçarit mbi prindërit e tij është njoftuar edhe inspektori i zonës. Ardian Kopaçi është dërguar për mjekim në spitalin psikiatrik dhe pasi ka marrë ilaçet e duhura, është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit. Njëri nga të afërmit tregon se, kur është normal dhe pa kriza skizofrenie, Ardiani është mjaft i urtë dhe i sjellshëm. Por kur e kapin krizat, ai del jashtë kontrollit dhe pasojat i vuajnë prindërit. Rreth orës 20:00 të së premtes, policia e Librazhdit ka ndaluar Ardian Kopaçin, i cili i është nënshtruar kontrollit mjekësor. Sipas mjekëve, ai vuan nga kriza skizofrenike, të cilat shfaqen dhunshëm në këtë periudhë ndryshimi stine nga pranvera në verë. Tani do të jetë gjykata, e cila do të gjykojë rastin e pengmarrësit të prindërve të tij.