E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja e argjendarisë, masa të ndryshme sigurie ndaj të dyshuarve

Edmond Hoxhaj

Fier

Burg pa afat Armando Mitës, u gjet djersa te syzet. 30 ditë burg për Ardit Fejzullain, do krahasohen gjurmët 

Edmond Hoxhaj

Masa të ndryshme sigurie ka kërkuar prokuroria për dy të rinjtë të ndaluar si autorë të dyshuar për grabitjen me armë të argjendarisë Ilija në qendër të qytetit të Fierit. Për këtë arsye, edhe Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg pa afat për 20-vjeçarin Armando Mita dhe arrest në burg me afat 30 ditor për 21-vjeçarin Ardit Fejzullai. Ndonëse ky i fundit nuk është paraqitur në gjykatë paraditen e djeshme, për shkak se ndodhet i shtruar në Spitalin e Fierit pas plagosjes rreth tri javë më parë, fillimisht, rreth orës 11:30, është caktuar masa e sigurisë ndaj tij. Prokurori i Çështjes, Artjan Beja i ka paraqitur gjyqtarit Engert Pëllumbi provat e siguruara deri tanimë ndaj 21-vjeçarit Fejzullai. Prokurori Beja pohoi se nga verifikimet e tabulateve telefonike të të ndaluarit Ardit Fejzullai rezultonte që ai të kishte kryer biseda telefonike me Armando Mitën pak ditë para grabitjes, ditën e ngjarjes, si edhe në ditët në vazhdim. Ndërkaq, prokurori ka pretenduar se ndaj Mitës janë siguruar tashmë prova konkrete që vërtetojnë dyshimet se ai është i implikuar në vjedhjen me armë të datës 5 korrik dhe se të dy të ndaluarit janë të dyshuarit kryesorë për konsumim të veprës penale të vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim. Pasi paraqiti provat, prokurori Artjan Beja kërkoi vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit dhe kërkoi masën e sigurisë arrest në burg me afat 30 ditë ndaj Ardit Fejzullait, duke shtuar se priteshin të siguroheshin prova të tjera. Ndërsa avokati mbrojtës i Fejzuallit, Kastriot Durmishaj, kërkoi një masë më të lehtë sigurie për klientin e tij, atë të arrestit shtëpiak. Ai i argumentoi gjykatës se arrestimi i klientit të tij ishte kryer, pasi ky i fundit ishte plagosur dhe jo në flagrancë. Gjithashtu, avokati Durmishaj theksoi faktin se prokuroria nuk ka ende një provë konkrete. Por, pasi ka dëgjuar të dyja palët, gjyqtari i Çështjes Engert Pëllumbi ka vendosur të caktojnë masën e sigurisë të kërkuar nga organi i akuzës.

Më pas është zhvilluar seanca e caktimit të masës së sigurisë ndaj Armando Mitës. Prokurori Artjan Beja ka pretenduar para gjykatës, se në dalje të ambientit të dyqanit janë gjetur një palë syze dielli dhe se në to është administruar një sasi e vogël djerse. Nga hetimet janë lindur dyshimet se këto syze i përkisnin një prej autorëve të ngjarjes. Sipas prokurorit Beja, nga krahasimi i ADN-së së djersës të gjetur tek syzet me ADN-në e Armando Mitës, ka rezultuar që ato të jenë identike. Ndërkaq, pritet që të përfundojnë edhe krahasimi i gjurmëve të gishtave të gjetura në banakun e argjendarisë, me ato të dy të ndaluarve. Gjithashtu, prokuroria ka përmendur edhe bisedat e shumta telefonike që janë kryer mes dy të ndaluarve gjatë ditëve kur ndodhi ngjarja. Një tjetër fakt ku e ka bazuar prokuroria kërkesën e saj për arrest në burg pa afat ndaj Mitës, ishte edhe një foto që ky i fundit kishte në aparatin celular të tij, ku pozonte me një pistoletë në dorë. Por, avokatja mbrojtëse e 20-vjeçarit Armando Mita, Anila Haxhiaj ka kërkuar që ndaj klientit të tij të mos caktohej asnjë masë sigurie dhe ndalimi të shpallej i paligjshëm nga gjykata. Sipas avokates, dyshimet e prokurorisë ishin pa baza logjike dhe provat të pamjaftueshme për ndalimin e 20-vjeçarit Mita. Ndërkohë, ky i fundit ka qëndruar i heshtur në sallën e gjyqit, ndërsa gjatë marrjes në pyetje mësohet ta ketë mohuar autorësinë e ngjarjes. Pasi gjyqtari Engert Pëllumbi ka dëgjuar pretendimet e të dyja palëve ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë për vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të Mitës dhe caktimin e masës arrest në burg pa afat ndaj tij. Ndalimi i bujshëm i dy të rinjve u bë publik pak ditë më parë nga vetë drejtori i policisë, Mërgim Hoxha. Nga burime të gazetës është mësuar se dyshimet ndaj dy të rinjve lindën pas plagosjes së Ardit Fejzullait, ngjarje e ndodhur në Peshtan të rrethit të Fierit rreth tri javë më parë. Nga hetimet paraprake dyshohet se plagosja ka ardhur pas mosmarrëveshjeve mes grabitësve për ndarjen e floririt. Por ende nuk ka asnjë informacion për fatin e rreth 2 kilogramëve bizhuteri të florinjta që u vodhën nga argjendaria në pronësi të Ilija Kabucit. Grabitja më armë e argjendarisë Ilija në qendër të qytetit të Fierit më datë 5 korrik tronditi opinionin e gjerë publik. Dy persona të maskuar dhe me kallashnikovë në dorë, arritën të marrin prej tabakave të ekspozuara rreth 2 kilogramë flori gjatë 24 sekondave dhe sipas dëshmitarëve, më pas u larguan nga vendngjarja me një motor tip Scooter ngjyrë gri.

 

30 ditë burg - Kërkoi prokurori Artjan Beja për Ardit Fejzullain, ndërsa kërkoi edhe vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit. Gjykata pranoi kërkesën e përfaqësuesit të akuzës

5 Korrik - Ndodhi grabitja me armë në argjendarinë Ilija në qendër të Fierit që tronditi opinionin e gjerë publik. Hetimet u ndoqën nga policia dhe prokuroria e qytetit

2 Kg flori - Morën dy personat që u futën në argjendari, të cilët mbanin në duar edhe armë luftarake, të cilat ia drejtuan pronarit dhe shitësit që ndodheshin brenda banakut

24 Sekonda - Ishte videoja e transmetuar ekskluzivisht në www.gazeta-shqip.com, ku dukeshin të gjitha veprimet e dy grabitësve në argjendarinë Ilija

Grabitja e argjendarisë, masa të ndryshme sigurie ndaj të dyshuarve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›