E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja e dytë e “Mbretit”

Av. Idajet Beqiri

Leka Zogu i II, duke marrë "krahë" nga pushteti që i ka dhënë në Presidencë zoti Bujar Nishani, President i Republikës, i ka paraqitur Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Tiranë një padi, me anën e të cilës kërkon t’u vjedhë sërish shqiptarëve pasuri të tjera kombëtare. Në nenin 341 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë theksohet se: “Trashëgimtarët përgjigjen për detyrimet që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore në përpjesëtim me pjesët e tyre, gjerë në vleftën e pasurisë trashëgimore që kanë marrë. Quhen detyrime që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore, ato të trashëgimlënësit, shpenzimet e varrimit të tij dhe shpenzimet që nevojiten për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë trashëgimore, deri sa ajo t’u kalojë trashëgimtarëve përkatës”. Nga përmbajtja e këtij neni del qartë se pinjolli i Ahmed Zogut, nëse ka çelur trashëgiminë ligjore dhe kërkon të trashëgojë gjyshin e tij Ahmed Zogu, qysh nga ky çast ai ngarkohet me të gjitha detyrimet që rëndojnë mbi të gjitha pasuritë trashëgimore të Zogut të Parë. Në bazë të dokumenteve që ndodhen në Arkivin e Shtetit, rezulton se rreth orës 21:00 të datës 6 Prill 1939, Zogu kishte urdhëruar ministrin e Financave, Kol Thaçi, që t’i raportonte se sa ishte gjendja e Thesarit të Shtetit, dhe t’ia sillte atij në shtëpi. Ministri i Financave i përcolli urdhrin e Zogut arkëtarit të përgjithshëm të Bankës, Ramadan Berberolli dhe ky i dorëzoi ish-Mbretit Zog shumën prej 448 535 monedhave ar në shtëpinë e Koço Kotës, ndërsa afro 118 195 monedha të tjera ari, vonë në mesnatë, ia dorëzoi Zogut në shtëpinë e vëllait të tij. Nëse llogarisim që një napolon flori bënte plotë 20 franga ar, Ahmed Zogu i mori arkës së shtetit shqiptar 27.848 napolona flori. Kjo shumë e llogaritur me kursin e këmbimit të euros, është e barabartë me afro 6 milion Euro. Sipas legjislacionit civil shqiptar, nëse Leka Zogu i II kërkon të çelë trashëgiminë ligjore, merr përsipër të drejta dhe detyrime. Detyrimi i parë dhe kryesor është që ai të njohë borxhin prej 6 milionë euro që gjyshi i tij Ahmet Zogu i ka shqiptarëve dhe buxhetit të shtetit të tyre. Në një situatë të tillë, para se gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Blerona Hasa, para se të njihte si trashëgimtar ligjor të vetëm të trashëgimlënësit Ahmed Zogu dhe Leka Zogu I, trashëgimtarin Leka Zogu i II, përmes Avokatit të Shtetit, si dhe Zyrës së Përmbarimit, duhet urgjentisht të bënin inventarizimin dhe sigurimin e të gjitha pasurive që ndodhen të regjistruara në emrin e Ahmed Zogut. Këtë gjë duhet ta bënte kryesisht vet Gjykata e Tiranës, e cila ka çelur trashëgimin, sepse këtë kompetencë ligjore ja jep neni 343 paragrafi i parë i Kodit Civil. Trashëgimtari ligjor i ish-Mbretit Zog nuk ka asnjë të drejtë disponimi, përdorimi apo tjetërsimi mbi këto prona, deri sa të bëhet vlerësimi i të gjitha pronave që figurojnë në emrin e Zogut, dhe pasi të merret prej saj shuma e borxhit prej 6 milionë euro dhe të arkëtohet në arkën e shtetit, në se do të mbesë gjë, le t’i jepet si trashëgimi pinjollit të ish-Mbretit Zog.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›