E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja, vritet me çifte roja i karburantit

Viktima Amarildo Vrapi

Krimi te Mbikalimi i Kamzës gjatë natës, vëllai i viktimës: Po flija gjumë dhe nuk pashë asgjë.

Amarildo Vrapi u qëllua në distancë të afërt, hetohet grabitja.

Roja i një pike karburanti në dalje të Tiranës, te Kthesa e Kamzës, është vrarë me armë gjahu ndërsa ishte në shërbim në vendin e tij të punës. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit, te karburanti pranë mbikalimit te Kthesa e Kamzës, ku ndodhet edhe një spital privat. Viktima është 20-vjeçari Amarildo Vrapi, i cili ishte i punësuar si roje gjatë turnit të tretë te karburanti në fjalë. Policia u lajmërua për ngjarjen nga vëllai i viktimës, Andi Vrapi, i cili gjithashtu ishte punonjës i karburantit ku ndodhi krimi. Vëllai i viktimës ka thënë se ishte në gjumë në kohën kur persona të panjohur vranë vëllain e tij. Ai ka thënë se është zgjuar nga të shtënat e armës dhe ka parë që vëllai i tij ishte i gjakosur, por nuk ka arritur të shohë autorët e krimit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Komisariatit Nr. 6 dhe oficerët e Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës. Gjatë mbledhjes së provave, në skenën e krimit janë gjetur dy gëzhoja arme gjahu, shumë pranë trupit të viktimës. Ky fakt, por edhe ekspertimi mjeko-ligjor, kanë vërtetuar se Vrapi është qëlluar nga një distancë e afërt, pothuajse ngjitur me kraharorin. Oficerët e grupit hetimor morën në pyetje paraditen e djeshme vëllain e viktimës, Andi Vrapin, që ishte në gjumë kur ndodhi ngjarja. Në pyetje është marrë edhe një mik i përbashkët i vëllezërve Vrapi, i cili dyshohet të ketë qenë te karburanti deri pak minuta para se të ndodhte krimi.
HETIMI
Burime nga grupi hetimor thanë se një nga pistat që po verifikohet për vrasjen e Amarildo Vrapit është ajo e një tentative grabitjeje, edhe pse në karburant nuk është vjedhur asgjë. Ky fakt, megjithatë, mund të justifikohet me prezencën e vëllait të viktimës pranë vendit të ngjarjes, arsye që mund ta ketë “trembur” autorin dhe ai është larguar pasi ka qëlluar. Nga dëshmitarët, familjarët dhe të njohurit e viktimës rezulton që ai ka qenë njeri i qetë dhe nuk kishte konflikte me persona të tjerë. Megjithatë, po verifikohet edhe pista e vrasjes për shkak të ndonjë konflikti të mëparshëm që mund të ketë pasur viktima. Ndërsa sipas grupit hetimor, dyshimet më të forta janë hedhur për ndonjë vrasje aksidentale, për të cilën mund të kenë dijeni vëllai i viktimës dhe miku i tyre i përbashkët që ndodhej te karburanti para se të ndodhte ngjarja. Asnjë nga personat që janë marrë në pyetje gjatë gjithë ditës së djeshme nuk kanë pranuar që në pikën e karburantit mbahet ndonjë armë për parandalimin e ndonjë grabitjeje. Megjithatë, ky është një nga dyshimet e policisë. Burime të rezervuara thanë se ndonjë “lojë” e mundshme me armë zjarri mund të ketë sjellë vrasjen e 20-vjeçarir Amarildo Vrapi. Për këtë arsye, pritet që të ripyeten rreth ngjarjes vëllai i viktimës dhe miku i tij.

Kolegu i viktimës: Amarildo s’ka pasur konflikte, s’di pse e vranë

Vendi i vrasjes

TIRANE – Roja tjetër i karburantit ku ndodhi vrasja e 20-vjeçarit është personi që i dorëzoi turnin viktimës Amarildo Vrapi. Kolegu i të riut që humbi jetën tregoi dje se nuk mund t’i japë një shpjegim përse mund të jetë vrarë kolegu i tij. Bilal Kuka tregoi dje se ka qëndruar gjatë në mbrëmje me dy vëllezërit Vrapi duke parë spektaklin e humorit “Portokalli” në kabinën që shërbente për të fjetur dhe më pas është larguar. Po gjatë kësaj kohë ka biseduar shumë me 20-vjeçarin Vrapi dhe ai ka qenë vazhdimisht i qeshur, pa u treguar atij apo të vëllait për ndonjë problem që mund të ketë pasur. “Jam shokuar kur mësova se çfarë kishte ndodhur. Nuk besoj se ka pasur dikush një motiv kaq të fortë për ta vrarë Amarildon. Ai ishte djalë i urtë dhe nuk konfliktohej kurrë me njerëzit, madje as me ata që mund të silleshin keq kur vinin për të furnizuar makinat me karburant. Edhe mund të kenë tentuar ta grabisin, siç thotë policia, sepse ngjarje të tilla po ndodhin shpesh kohët e fundit. Por unë nuk di se çfarë të them. Paratë u gjetën aty ku ishin lënë. Atëherë pse e vranë?”, u shpreh punonjësit tjetër i karburantit, Bilal Kuka. Edhe ai është një nga personat që është marrë në pyetje në polici, por edhe në polici ka rrëfyer të njëjtat fjalë, pasi ai nuk ka asnjë dijeni se si dhe pse mund të ketë ndodhur vrasja e Amarildo Vrapit.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›