E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plehrat, AKIP dorëzon në KQZ nismën për referendum

TIRANE - Aleanca Kundër Importit të Plehrave dorëzoi sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nismën për referendumin kundër importit të mbeturinave. Përfaqësues të AKIP bënë të ditur se kanë dorëzuar sot në mesditë në KQZ listën me 61859 firmat e grumbulluara për organizimin e referendumit.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave bëri të ditur se nëse nuk merr një përgjigje brenda 3 muajve nga autoritetet, atëherë do të organizojë protesta.

Kjo Aleancë e organizatave joqeveritare kërkon që të hiqen me referendum nenet dhe 22/3 dhe 49 nga ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili u miratua fundvitin e kaluar.

Sipas tyre, këto dy nene lejojnë importimin e mbetjeve urbane nga vende të tjera në shërbim të industrive ricikluese, duke rrezikuar jetën e shoqërisë dhe mjedisin shqiptar.

Sipas Aleancës, ligji e dëmton Shqipërinë pasi vendi ynë nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar mbetjet nga importi. Sipas AKIP, lejimi i importit të plehrave bie ndesh me Strategjinë Kombëtare të një Zhvillimi të Qëndrueshëm si dhe me Konventën e Aarusit.

Aleanca kundër importit të plehrave beson se ky referendum për çështje mjedisore do të ndryshojë edhe mendësitë se në Shqipëri votohet vetëm për politikë sepse zgjedhjet dhe 3 referendumet e deritanishme janë mbajtur vetëm për tema politike.

Ndërkohë zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino kundërshtoi nismën e Aleancës Kundër Importit të Mbeturinave për një referendum kombëtar, duke e cilësuar si një organizim me sfond politik.

Gjatë fjalës së tij në konferencën për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, zv/ministri Binaj deklaroi se organizatorët e këtij referendumi janë të nxitur nga Partia Socialiste. “Kjo nismë nuk ndihmon në qëllimin e përpunimit të mbetjeve.”- theksoi Bino.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Referendumi kundër importit të plehrave, Bino: Nismë me sfond politik

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›