E Shtunë, 31 Tetor 2026

U nis në shkollë, gjendet i varur në ulli 13-vjeçari

Drejtoria e Policisë, Fier

MALLAKASTER/ Ngjarja në një fshat të thellë. I mungoi ndihma e shpejtë.

Ishte grindur me prindërit, spranonte te kulloste bagëtinë.

Vetëvaret 13-vjeçari pasi ishte grindur me prindërit. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Çorrush të Mallakastrës, ku i mituri me inicialet G.A. i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në degën e një ulliri. Mësohet se fëmija, nxënës i klasës së shtatë, ishte nisur dje rreth orës 07:30 për në shkollën që ndodhej në qendër të fshatit. Por pasi ka dalë nga banesa, ai ka ndërruar destinacionin e përditshëm, duke u drejtuar tek një pemë që ndodhej vetëm pak metra larg shtëpisë. Pasi ka lidhur një litar që e kishte siguruar në fshehtësi në shtëpi, ai ka kryer edhe aktin fatal. Ishte mëngjes herët, kur dëgjuam ulërimat e nënës së 13-vjeçarit. Askush nuk mund ta mendonte atë që kishte ndodhur. Ai ishte një fëmijë i sjellshëm dhe i urtë. Ishte në klasën e shtatë dhe nuk bënte fjalë me asnjeri,- u shpreh një fqinje e familjes që i ndodhi tragjedia e djeshme. Lidhur me motivin që e ka çuar 13-vjeçarin drejt aktit fatal, mësohet të ketë qenë një grindje e tij me prindërit. Këta të fundit e kanë qortuar, pasi ai nuk pranonte të kulloste bagëtinë, gjë e cila me sa duket ka shkaktuar ngarkesa emocionale tek i mituri, deri edhe në vendimin fatal për ti dhënë fund jetës. Pak pas kryerjes së aktit, ai është pikasur nga familjarët e tij. Ata kanë rendur për ta ndihmuar me shpresën se fëmija nuk kishte ndërruar jetë. Pasi e kanë ulur në tokë dhe i kanë hequr nga qafa litarin, familjarët kanë vërejtur se zemra e 13-vjeçarit ishte ende në jetë. Por, forca e madhe e ushtruar në qafë dhe mosqarkullimi i gjakut në tru ka bërë që i mituri të ndërrojë jetë. Për shkak se fshati Çorrush është zona më e thellë e rrethit të Mallakastrës dhe mjeku më i afërt ndodhet në fshatin fqinj, në Kutë, ka qenë e vështirë dhënia e një ndihme të shpejtë dhe të specializuar për djalin 13-vjeçar. Ndërkaq, në familjen e të atit të të miturit të vetëvarur, B.A., ka pllakosur morti. Familjarë, të afërm dhe bashkëfshatarë të tyre kanë shkuar për ngushëllime, ku nëna, babai, tri motrat dhe vëllai tjetër i të miturit po përballen me dhimbjen e humbjes së të dashurit të tyre. Mësohet se për të përshkruar rrugën e përditshme për të arritur në shkollë, të miturit i duhej të paktën një gjysmë ore në zbritje, që prej lagjes ku banonte deri në qendër të fshatit dhe më shumë se 45 minuta për tu kthyer në shtëpi. Sipas bashkëmoshatarëve të viktimës, ai ishte një djalë i urtë dhe i ndjeshëm. Nga ana e policisë nuk ka asnjë të dhënë zyrtare lidhur me ngjarjen. Fëmijës i janë kontrolluar xhepat dhe librat për ndonjë shënim apo letër që mund të kishte lënë, por nuk është gjetur asgjë. Prindërit punonin në tokat e tyre dhe jetonin ashtu sikurse të gjithë bashkëfshatarët e tjerë, me të ardhurat nga bujqësia dhe blegtoria.

PRECEDENTI
Më 27 shkurt të këtij viti, një 15-vjeçare i dha fund jetës duke u vetëvarur vetëm pak minuta para se të nisej për në shkollë. Ngjarja ndodhi në fshatin Kallm i Vogël të komunës Mbrostar, në rrethin e Fierit. Familjarët e kanë gjetur 15-vjeçaren me inicialet C.B. të vetëvarur brenda në banesë. Viktima ishte nxënëse në klasën e nëntë. Policia nisi hetimet, por ende nuk ka një motiv për vetëvarjen e saj.

MALLAKASTER/ MAJLINDA RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›