Grabitje me maska në Vlorë, vidhet kasaforta e pikës së karburantit
VLORE- Persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një pikë karburanti në fshatin Babicë të Vlorës. Policia thotë se grabitja ka ndodhur gjatë orëve të natës së të dielës duke u gdhirë e hëna. Të dhënat e para të hetimit bëjnë të ditur se grabitësit janë afruar qetësisht te pika e karburantit dhe i kanë kërkuar rojes të futet në një prej ambienteve të tij ku dhe më pas e kanë mbyllur. Pas kësaj ata kanë marrë kasafortën ku dyshohet se ndodhej shuma prej rreth 1 milionë lekësh të reja dhe janë larguar në drejtim të paditur. Burime nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se autorët janë identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre. (e.n/BalkanWeb)