Përmbytjet, PS: Pasojë e vjedhjes dhe neglizhencës së qeverisë
TIRANE- Duke e cilësuar si të rëndë situatën në veri dhe verilindje të Shqipërisë, Partia Socialiste ka fajësuar qeverinë dhe kryeministrin Berisha. Sipas deputetit të Shkodrës Ilir Beqja, investimet që duhet të kryheshin për forcimin e argjinaturave në Lezhë dhe Shëngjin kanë shkuar në xhepat e pushtetarëve. “Nuk është nevoja që Sali Berisha të bëjë parashikuesin e motit apo drejtuesin e emergjencave civile. Situata që po kalojmë nuk mund të justifikohet me kapricot e motit. Edhe paratë e shpenzuara në vitin 2006 për të mbrojtur Lezhën e Shëngjinin nga përmbytjet kanë shkuar në xhepat e oborrit të familjes në pushtet. I bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë fatin e këtyre investimeve ” theksoi Beqja. Por Partia Socialiste ngre shqetësiminin edhe për importin e energjisë që po kryhet nga qeveria shqiptare pavarësisht nivelit të lartë të ujit në hidrocentralet në vend. “Askush nuk merr guximin të tregojë sa ka qenë niveli i liqeneve të hidrocentraleve në fillim të nëntorit. Sali Berisha i fsheh këto lajme sepse shqiptarët do të kuptojnë se për interesa të oborrit të familjes në pushtet ka vazhduar të importohet edhe pse liqenet kanë patur ujë mbi nivelet e mjaftueshme. Prokuroria të hetojë mbi këtë cështje me pasojë dëme të mëdha financiare dhe materiale.” u shpreh Beqja. Socialistët deklarojnë se do të vijojnë të ndjekin hap pas hapi situatën ndërsa shprehen se këmbëngulja e banorëve për të mos u shpërngulur është e përligjur për shkak të dështimit të skemave të kompensimit në raste të tragjedive natyrore si përmbytje apo tërmete edhe në vitet e mëparshme. (e.n/News24/BalkanWeb)