Olli: Do ketë evakuim të banorëve me forcë nëse përkeqësohet situata

Mbrojtja e jetës së qytetarëve në zonat e përmbytura është prioritet i strukturave të shtetit shqiptar, të cilat nuk përjashtojnë as evakuimin me forcë në rastin e situatave ekstreme. Drejtori i emergjencave civile Alfred Olli ka sqaruar se situata gjatë ditës së hënë është përmirësuar pasi niveli i ujit ka rënë me rreth 20 cm, por në rast se do të ketë përkeqësim të situatës veçanërisht në komunën Ana e Malit dhe Dajç banorët do të evakuohen me forcë.
Ndërkaq sipas drejtorit të emergjencave civile deri më tani janë evakuuar në bashkinë e Shkodrës 37 familje, në komuna Ana e Malit edhe pse janë me prezencë uji 130 shtëpi në fshatin Obot, vetëm 5 familje janë evakuar dhe në komuna Dajç në prezencë uji ndodhen 70 banesa dhe janë evakuar 53 familje. Ndërkaq në qarkun e Lezhës situata po shkon drejt përmirësimit dhe po vazhdon puna për ndërtimin e argjinaturës në lagjen Stome, fshati Ishull Shëngjin.