Grabovcasit, KEK-u e bën të pabanueshëm fshatin

Të përballur çdo ditë me pluhurin që vjen nga mihjet sipërfaqësore të thëngjillit të KEK-ut, banorët e Grabovcit të Fushë-Kosovës thonë se fshati i tyre është bërë i pabanueshëm. Ata ndihen të harruar nga shteti. Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor janë optimistët se KEK-u do t’i përmbushë detyrimet e marra për gjelbërimin e kodrës së krijuar nga hiri. Maliq Berisha nga ky fshat deklaron se fshati i tij është shumë i ndotur dhe është bërë i pabanueshëm, kurse banorë të tjerë fajësojnë shtetin, duke thënë se ai i ka harruar dhe se janë të lodhur nga pluhuri, raporton KTV.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se KEK-u është ndotësi më i madh i ambientit në Kosovë.
“Se KEK-u është një ndër korporatat që më së shumti e ndot ajrin, sidomos në rajonin e Obiliqit dhe Prishtinës, është fakt i ditur për të gjithë qytetarët, e edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Për këtë arsye MMPH ka kërkuar nga KEK-u vendosjen e filtrave në të gjitha njësitë e Termocentralit Kosova A. Deri më tani, me mjete vetjake, KEK ka vendosur një filtër që ndalon tërësisht emetimin e tymit, e me këtë edhe të grimcave të rrezikshme për shëndetin në ajër. KEK-u është zotuar se të gjithë filtrat e tjerë do të vendosen deri në gjysmën e parë të vitit 2014”, është përgjigjur në pyetjen e KTV-së, këshilltarja e ministrit Gashi, Gëzime Hasani, me anë të postës elektronike.
Sipas saj, KEK-u ka marrë parasysh kërkesën e Ministrisë për gjelbërimin e kodrës, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e pluhurit kur fryjnë erërat.
Hasani ka shtuar se kjo është hera e parë që nga paslufta që KEK-u merr parasysh rekomandimet e Ministrisë së Mjedisit për krijimin e një ambienti më të këndshëm në Kosovë.
Zyrtarët e korporatës ndotëse, KEK-ut, kanë qenë të pa kontaktueshëm gjatë ditës së sotme./Indeksonline/