Kontejnerët Made in Serbia, VV i shkruan letër Isa Mustafës

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka reaguar ndaj vendosjes së kontejnerëve për grumbuillimin e mbeturinave të prodhura në Serbi. Kjo lëvizje i ka shkruar një letër të hapur kreut të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafës. Më poshtë gjëni të bashkangjitur letren e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë.
I nderuari z. Isa Mustafa, nëpërmjet kësaj letre të hapur, ne aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, shprehim indinjatën dhe papajtueshmërinë tonë kundrejt skandalit të vendosjes së kontejnerëve për grumbullimin e mbeturinave të prodhuara në Serbi, nëpër rrugët e Prishtinës.
Besojmë se pajtohemi të gjithë se qytetarët e Prishtinës kanë nevojë për një qytet sa më të pastër. Vendosja e 450 kontejnerëve nëpër rrugët e Prishtinës, të cilët janë prodhuar nga kompania “Gosha”, e Smederevska Palankës së Serbisë, mund të kontribuojë sadopak në pastërtinë e qytetit tonë, mirëpo pastrimi i Prishtinës mund të realizohej duke mos i dërguar pjesën më të madhe të fondit prej 119 mijë eurove në Serbi në kohën kur Serbia na lufton politikisht e ekonomikisht, Komuna e Prishtinës nuk duhet ta shpërblejë atë me fonde publike të Kosovës.
Ju si profesor i shkencave ekonomike, do të mund të na përgjigjeshit se ekonomia e tregut të lirë nuk e preferon ndërhyrjen nga ana e autoriteteve shtetërore, dhe se e keni shpallur tenderin të cilin e ka fituar kompania që më pas i ka sjellë kontejnerët nga Serbia. Mirëpo, a na paska mbetur që ta dëshmojmë tregtinë e lirë me Serbinë, që as nuk na njeh si shtet dhe që ende shfaq pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës si dhe është një nga faktorët kryesorë që dëmton prodhimin vendor? Për më tepër nëse nuk jeni të informuar, duam ta bëjmë këtë duke ju treguar se ka kompani në Kosovë që prodhojnë kontejnerë. Po edhe po të mos kishte në Kosovë kompani që prodhojnë kontejnerë, këta kontejner do të duhej të importoheshin nga ato shtete që e njohin Republikën e Kosovës.
Ne, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, ndonëse nuk pajtohemi me ju, konsiderojmë se ju si kryetar i LDK-së e keni të drejtën që të mbështesni bisedimet joparimore dhe pa kushte me Serbinë, e keni madje edhe të drejtën që privatisht të mbështesni importin e mallrave nga Serbia, mirëpo assesi nuk e gëzoni të drejtën që si Kryetar i Komunës së Prishtinës, nëpërmjet buxhetit publik të inkurajoni tregtinë me Serbinë.
Asnjë cent i buxhetit publik të Komunës së Prishtinës nuk bën të shkojë drejt mallrave të Serbisë. Për sa të jeni Kryetar i Prishtinës, jeni edhe përgjegjës për secilin euro që shkon nga buxheti Komunal i Prishtinës për në Serbi. Andaj kërkojmë nga ju që kompaninë që ua ka sjellë këta kontejnerë, ta shpallni si të papërgjegjshme dhe që të angazhoheni që në kushtet e prokurimit publik të vendoset edhe kushti që mallrat me të cilat ofertohet të jenë prodhime vendore apo nga shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Në pritje të reagimit tuaj institucional e publik
Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë