E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabovci: Mirëpresim gatishmërinë e AAK'së

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të komunitetit shqiptaro-amerikan, ka komentuar edhe zhvillimet në Kosovë. Grabovci ka thënë se Kosova tash është në një stad të zhvillimit dhe për këtë i duhet ndihma e miqve ndërkombëtar në zhvillimin e vendit. Ai gjithashtu ka thënë se PDK është në përgatitje të mbajtjes së kongresit të saj, ndërsa për çështjen e koalicionit ka thënë se mirëpret Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për të marr përgjegjësit karshi interesit nacional.

Ai në një intervistë për Kosovapress ka thënë se në veri të vendit janë të grumbulluar kriminelët e të gjitha llojeve dhe të gjitha territoreve, duke terrorizuar edhe qytetarët e asaj pjese.

Por, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ta ngritë shkallën e angazhimit edhe më të madh, duhet të përgatitet për të marrë hapa konkret.

Ai ka thënë edhe EULEX-i duhet të jetë më konkret dhe bashkëpunues me institucionet e tjera. “Duhet të ketë një koordinim më të madh, por mbi të gjitha një bashkëveprim për të siguruar jetën e qytetarëve në atë pjesë të territorit të Kosovës, por për të garantuar edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka theksuar Grabovci.

Në lidhje me dhënien e ndonjë autonomie për veriun e vendit, Grabovci ka thënë se një gjë e tillë nuk është diskutuar dhe as që duhet të diskutohet.

“Absolutisht ne e kemi planin e Ahtisarit dhe asgjë mbi atë plan nuk është diskutuar dhe nuk duhet të diskutohet. Ne kemi një Republikë Srbska e cila dihet se çfarë pasoja ka sjellë dhe nuk guxon të përsëritet dhe nuk guxon të përsëritet. Territori i Kosovës është një dhe i pandashëm”, ka thënë ai.

I pyetur se kur do ta mbajë kongresin Partia Demokratike e Kosovës, Grabovci ka thënë se një subjekt politik që hynë në Qeveri, aktivitetet e atij subjekti mbeten prapa, pasi që drejtuesit marrin përgjegjësi shtetërore.

Por, ai ka thënë se PDK është duke bërë përgatitjet që brenda afatit të mbajë kongresin dhe të zgjedhë strukturat e saj.

“Partia veç është në përfundim e sipër të përgatitjes për fillim të kongresit dhe kongresi do të filloj shumë shpejt dhe besoj brenda afatit të rregullt që e parashihet do të thotë tremujor të filloj dhe të përfundoj. Të mbahet kongresi dhe të zgjidhen organet drejtuese të partisë që jam shumë optimist që partia do të del edhe më e strukturuar edhe më e fuqishme dhe do të jetë shumë aktive”, ka thënë Grabovci.

Ndërkohë, në lidhje me ndryshimin e koalicionit, ai ka thënë se PDK mirëpret gatishmërinë e AAK-së për marrjen e përgjegjësive në rrugën e rëndësishme që e ka Kosova.

“Koalicioni është stabil po funksionon, nuk kemi krizë, por ne kemi parasysh sfidat me të cilat Kosova do të përballet në të ardhmen dhe për tu përballur me këto sfida, me dalë të suksesshëm, PDK është udhëheq nga një koncept i veçantë i integrimit dhe kurrsesi i përjashtimit. Ne i kemi mirëpritur dhe i mirëpresim angazhimet e të tjerëve”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Grabovci ka thënë se Partia Demokratike gjithmonë ka treguar gatishmëri që të hapen dosjet për të gjithë, pasi që siç ka thënë, PDK nuk frikësohet absolutisht në asnjë periudhë kohore.

Ai ka thënë se Ligji i Lustracionit është i domosdoshëm dhe me siguri se duhet të vijë patjetër në Kuvend, sepse këtë praktik e kanë ndjekur edhe shtetet e tjera të cilët kanë kaluar këtë fazën e tranzicionit që po kalon Kosova.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›