Grabovci e Buja heshtin për akuzat e Konjufcës

Adem Grabovci dhe Shukri Buja nuk kanë dashur të flisnin për akuzat e ish-pronarit të fermës së pulave, Abdurrahman Konjufca. Kreu i Lipjanit i ka thënë shkurt KTV-së nëpërmjet telefonit se nuk dëshiron të flasë për akuzat e një personi, të cilin e ka quajtur jonormal.
Por, nuk ka qenë e mundur marrja e një qëndrimi nga shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
Afaristi lipjanas dy ditë më parë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka akuzuar dy zyrtarë të PDK-së dhe tre të tjerë të AKP-së, me pretendimet se ata ia kishin marrë atij fermën, të cilën e kishte menaxhuar dhjetë vjet. Ai pretendon se qëllimi i këtyre personave ka qenë që fillimisht të përshpejtohet privatizimi i fermës së pulave për shumën 1 milion euro dhe më pas e njëjta fermë të shitet për 12 milionë euro.
Sipas tij, këto para më pas do të ndaheshin në katër pjesë, me nga tre milionë euro për secilin përfitues. Ai ka depozituar një vit më parë një padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, mirëpo ajo është hedhur poshtë në shkallën e parë të kësaj gjykate. Kjo lëndë është në duart e një gjyqtari ndërkombëtar./Indeksonline/