E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultimatumi i fundit, Bosh dhe Uidhers: Zgjedhjet sipas standardeve, këtë herë s’ka justifikime

Ndërkombëtarët u bëjnë thirrje shqiptarëve: “Mos lejoni presionin!”. “Manipulimet i përkasin së kaluarës, nuk ka më vend për to”

Eljona Ballhysa
Vetëm katër ditë para zgjedhjeve, krerët e dy institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare në Shqipëri kanë bërë ultimatumin e fundit përsa i përket domosdoshmërisë së përmbushjes së standardeve në këto zgjedhje. Ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uidhers dhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, të pranishëm në prezantimin e dy grupeve që do të transmetojnë në kohë reale, minutë pas minute, rezultatin e zgjedhjeve ditën e diel, u bënë thirrje shqiptarëve që të ushtrojnë të drejtën legjitime të votës duke mos lejuar askënd t’ua cenojë atë. Të dy ambasadorët kanë qenë më të prerë se kurrë në kërkesën e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme. Ata kanë bërë të ditur se asnjëherë më parë Shqipëria nuk i ka përmbushur standardet dhe këtë herë, më shumë se kurrë, është momenti për t’i përmbushur ato. Uidhers dhe Bosh kanë theksuar se këtë herë nuk do të ketë justifikime për mosrealizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ata kanë renditur disa nga kërkesat kryesore që duhen plotësuar, ndërkohë që thirrja ka qenë edhe për qytetarët shqiptarë, të cilët duhet t’u raportojnë vëzhguesve çdo parregullsi.
Thirrja për shqiptarët
Ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uidhers, u kushtoi një mesazh të gjatë qytetarëve shqiptarë. “Unë u kërkoj të gjithë zgjedhësve që të shprehin të drejtat civile: të përmbushin të drejtën për të votuar. Unë u them votuesve: Mos kini frikë për të votuar! Për të qenë të ndershëm, ne të gjithë e dimë se në të kaluarën zgjedhjet në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare. Si një vend i ri anëtar në NATO duhet që këto zgjedhje të përmbushin standardet. Manipulimet e së kaluarës nuk duhet të ndodhin sërish. Ndaj, nëse dikush kërkon t’ju blejë votën, nëse dikush ushtron presion ndaj jush, nëse dikush përpiqet t’ju frikësojë duke ju kërcënuar se do t’ju heqë nga puna apo familjarët tuaj, nëse dikush kërkon që ju të fotografoni votën për të parë se për kë keni votuar, nëse dikush përpiqet t’ju japë një pasaportë apo letërnjoftim fals, nëse policia apo zyrtarë të tjerë janë të njëanshëm, nëse dikush përpiqet të fusë duart në kutitë e votimit, ju lutem, mësoni se këto akte janë të paligjshme dhe i raportoni ato te monitoruesit. Ju duhet të dini se komuniteti ndërkombëtar dhe SHBA-të janë aty për të vëzhguar”, - është shprehur Uidhers.
Ai ka theksuar se këto praktika manipulimi dhe të tjera të ngjashme i përkasin së kaluarës dhe nuk ka më vend për to sot në Shqipëri. “Zgjedhjet që nuk përmbushin standardet ndërkombëtare për një proces të lirë dhe të drejtë mund të sjellin vonesa dhe të vështirësojnë perspektivën euroatlantike të Shqipërisë”, - është shprehur Uidhers. Edhe ambasadori Bosh ka qenë në të njëjtën linjë përsa i përket sjelljes së qytetarëve shqiptarë, ndërsa ka renditur disa mesazhe për rolin e policë dhe atë të përfaqësuesve të partive politike.
Standardet
“Policia do të shihet nga njerëzit si aktore që do të ndihmojë në krijimin e një klime të qetë. Të dielën ky organ do të rrisë më shumë nivelin e standardeve. Partitë politike duhet të jenë të ndërgjegjshme se kanë një rol kyç për të garantuar standardet ndërkombëtare të dielën. Të mos ketë më probleme, të mos ketë më justifikime dhe as shfajësime për dështime të së kaluarës. Kësaj radhe zgjedhjet duhet të funksionojnë. Të gjithë votuesit të lejohen të shkojnë në kutitë e votimit të lirë. Zgjedhjet janë për popullin dhe jo pronë personale e partive politike. Çdo votë vlen dhe çdo votë duhet të numërohet”, - është shprehur gjatë fjalës së tij ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bosh. Ai gjithashtu kërkoi që të mos ketë votime familjare dhe të mos përdoren kamerat në fotografimin e votës. “Kërkojmë të mos kemi më histori votimesh familjare apo episode, ku votuesit ‘instruktohen’ që të përdorin kamera celularësh për të regjistruar votën e tyre, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar”, - paralajmëroi prerë Robert Bosh.

Këshillat:
Zgjedhjet që nuk përmbushin standardet do të vështirësojnë perspektivën euroatlantike të Shqipërisë

Të mos ketë më justifikime dhe as shfajësime për dështime të së kaluarës. Kësaj radhe zgjedhjet duhet të funksionojnë

Si një vend i ri anëtar në NATO duhet që këto zgjedhje të përmbushin standardet

Manipulimet e së kaluarës nuk duhet të ndodhin sërish

Të mos kemi më histori votimesh familjare apo episode ku votuesit ‘instruktohen’ që të përdorin kamera celularësh për të regjistruar votën e tyre

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›