E Diel, 1 Nëntor 2026

Graciela lë shtëpinë, Klodi zbulon sekretin

Klodi e ka pasur të vështirë, por përmes një letre drejtuar së ëmës ai ka pranuar prirjet homoseksuale. Ka qenë moment shumë emocionues dhe i rrallë gjatë spektaklit të së shtunës. Klodi është çliruar nga sekreti që e mundonte ndërsa ka kërkuar përmes këtij mesazhi publik të mos paragjykohet

Spektakli i së shtunës ka pasur një dinamikë të veçantë dhe emocione të përjetuara rrallë. Veç surprizës së Hakiut, Jetmirit, është sqaruar historia e Rezartës me Jetmirin. Publiku ka votuar për të lënë shtëpinë Gracielën, ndërsa Klodi ka bërë një rrëfim të rrallë. Përmes një letre drejtuar së ëmës ai ka pranuar prirjet e tij seksuale.

Surpriza për Hakiun

Hakiu është i vetmi familjar brenda shtëpisë së “Big Brother 3”. Bashkëshort, por njëkohësisht baba i tre fëmijëve, malli për familjarët ka qenë i dukshëm gjatë këtyre javëve. Vëllai i Madh i kishte përgatitur një klip, ku Hakiu sheh fëmijët, të cilët i dërgojnë përshëndetje dhe e inkurajojnë të vazhdojë lojën. Ata i kanë dedikuar disa vizatime dhe një bluzë në të cilën kanë lënë shenjat e duarve. Por surpriza nuk mungon këtu për Hakiun. Në dhomën e rrezikut ai takohet me bashkëshorten, me të cilën qëndrojnë vetëm pak minuta e pastaj Hakiu rikthehet në dhomën e ndenjjes.

Prova e javës

Vëllai i Madh kishte vendosur që këtë javë të sprovonte durimin e banorëve. Me doreza boksi ata kanë qëruar shumë vezë, oriz, kanë përgatitur duhan të dredhur. Edhe pse është konsideruar e kaluar, kjo ka qenë vetëm gjysma e provës së fituar. Një tjetër provë ishte përgatitur për banorët gjatë spektaklit. Të gjithë banorëve do t’u duhej të gjenin në një tas të mbushur me qumësht një gur duke e kapur me gojë. Shifra që shënohej mbi gur është edhe buxheti që i shkon çdo banori që e ka gjetur. Prova ka shkaktuar shumë të qeshura mes banorëve, por edhe publikut që i ka ndjekur përmes ekranit.

Sekreti i Klodit

Në një bisedë me Oltën, gjatë javës Klodi kishte bërë të ditur një sekret të jetës së tij personale. Kishte lajmëruar edhe se asaj që i trembej më shumë, ishte shqetësimi që do të pësonte e ëma. Për të zbuluar të vërtetën e tij, ka zgjedhur të shkruajë një letër për të ëmën, e cila u bë e ditur edhe për publikun. Mes emocionesh shumë të forta, Klodi ka pranuar publikisht atë që është, prirjet e tij seksuale. Gjatë leximit të letrës drejtuar së ëmës, ai ka përmendur disa herë vështirësitë që i është dashur të përballojë, por edhe paragjykimet e shumta, mohimet e përjashtimet. Përmes kësaj letre ai ka dashur të japë një mesazh publik. “Më fal që nuk u bëra ai që do kishe dashur, më fal që do të bëj të vuash sërish kur t’i vetë më ke mësuar se njeriu duhet të jetë i drejtë dhe i ndershëm. Por unë e di që ti je i fortë dhe e di se do ta kalosh me dashurinë që ke për mua”, shkruante Klodi në letër. Ndërsa në një komunikim në dhomën e rrëfimit Klodi është shprehur se “unë nuk do kisha dashur të lindja kështu, por Zoti kështu më ka bërë dhe u them të gjithëve që të mos paragjykojnë njeri pa e njohur”. Pas kësaj situate, banorët i kanë dhënë mbështetje Klodit teksa ka dalë nga dhoma e rrëfimit. Ndërsa në studio, kjo deklaratë e Klodit është komentuar si një moment i rrallë dhe një guxim për të pranuar publikisht atë që është.

Eliminohet Graciela

Gracielës i është dashur që këtë javë të përballet në kandidim me tre meshkuj: Erionin, Hakiun dhe Klodin. Publiku ka vendosur që pas disa kandidimesh, shtëpinë ta lërë Graciela. E ka pritur me keqardhje, por tashmë Graciela do të qëndrojë në vazhdim mes të eliminuarve të mëparshëm.

Femrat kanë imunitet

Një tjetër surprizë e spektaklit kanë qenë kandidimet. Klodi ka shkuar të zgjedhë mes dy zarfeve, atë të ziun dhe të bardhin. Pasi e ka lexuar, banorëve u është komunikuar se këtë javë shkojnë në kandidim vetëm meshkujt. Femrat kanë imunitet. Për këtë arsye “lufta” e kësaj jave do të zhvillohet mes meshkujve.

Lidhja e Jetmirit me Rezartën

Përmes një klipi, është treguar historia e Rezartës mes Edit dhe Jetmirit. Rezartës i është kërkuar të sqarojë historinë e saj që ka pasur jashtë me një djalë me kombësi të huaj dhe që nuk e kishin pranuar prindërit. Rezarta ka thënë se këtë ndjenjë e ka përjetuar deri pak para se të lidhej me Jetmirin, për të cilin ndien me të vërtetë. “Për Edin nuk kam pasur asnjë ndjenjë dhe kjo ka qenë e qartë që në fillim”. E pyetur se pse kishte thënë të shtunën e shkuar se ndiente për Edin, Rezarta ka thënë se e ka keqkuptuar pyetjen. Edi e ka quajtur të pazakontë që Rezarta të ndahet prej tij e të lidhet menjëherë me Jetmirin. Ai tha se kishte kuptuar diçka, por nuk kishte dashur ta besonte.

Jetmiri takon motrën

Gjatë spektaklit të së shtunës, një surprizë ishte rezervuar edhe për Jetmirin. Nga studio, Jetmiri lajmërohet se i ka ardhur me postë një letër. Pasi lexon letrën i kërkohet të shkojë në dhomën e bardhë. Aty do të gjejë të motrën me të cilën çmallet për disa minuta.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›