Faturat e larta, OSSH: Përgjegjësia, e ERE-s
Prej dy javësh, konsumatorët po përballen me faturat e larta të energjisë elektrike, si pasojë e rritjes së çmimeve, mesatarisht me 13 për qind. Rebelimi i shtresave të ndryshme nuk lidhet aq shumë me çmimet e reja, sesa me llogaritjen e sasisë së konsumuar. Shumë prej abonentëve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) u janë llogaritur faturat e muajit dhjetor me tarifat e reja 7.7 lekë për kilovat, të cilat kanë hyrë në fuqi pas datës 1 janar 2010, dhe jo me 7 lekë. Për këtë shkak, konsumatorët janë ankuar tek Enti Rregullator i Energjisë, i cili mban përgjegjësi për mbarëvajtjen e tregut dhe respektimin e kontratave. Burime jozyrtare thonë se ERE i ka kërkuar sqarime CEZ-it, pronari i OSSH-së, duke e pretenduar udhëzuar për dëmshpërblim për llogaritjet e gabuara. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, zyra e shtypit pranë CEZ, e sqaroi këtë problem, duke thënë se, janë të vetëdijshëm për veprimet me faturat, por që nuk kanë bërë gjë tjetër, vetëm respektimin e udhëzimit të ERE-s. “është Enti Rregullator që na ka udhëzuar për faturimin e muajit dhjetor, nisur nga specifikat teknike të periudhës, që përkon me gjysmën e muajit dhjetor dhe atë janar”, deklaron CEZ. Në kontratën (e aprovuar nga ERE) që abonenti ka me OSSH-në nuk specifikohet data e leximit të matësit, por vetëm periudha e dorëzimit të faturës, që është brenda datës 25 të çdo muaji. Mungesa e caktimit të datës për kontrollimin e sahatit ka shkaktuar përplasjen e radhës mes abonentëve dhe kompanisë.
Duket se konflikti mes qeverisë dhe OSSH-së nuk ka ndërmend të shuhet, madje me problemin e faturimit, palët po ndizen akoma e më shumë me njëra-tjetrën. Kujtojmë se këto ditë, OSSH ka lënë pa drita me qindra institucione shtetërore, pasi nuk kishin paguar dritat, ndërsa me ERE-n po përballet me një proces gjyqësor.
KonfliktiTë parët që u ankuan ishin vet konsumatorët, të cilët pasi u njohën me faturat e muajit dhjetor, panë se llogaritja ishte bërë për 10-ditëshin e fundit me çmimet e reja, prej 7.7 lekësh. Duke i pyetur në sportelet ku paguhen faturat, shumë abonentë ankohen se vlefta totale nuk përputhet me konsumin, ndërsa leximi i sahatit nuk është bërë në ditën e caktuar. Ankesa ka pasur edhe nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve (ZMK), e cila pasi ka mbledhur faktet e shkeljes së ligjit dhe kontratës, e ka kallëzuar OSSH-në në prokurori për mashtrim. E kështu me radhë, ka reaguar këto ditë edhe politika, ekspertë të fushës, duke ballafaquar faturat dhe tarifat me periudhat para dhe hyrjes në fuqi të çmimeve të reja. Qytetarët ankohen edhe për mungesën e transparencës në leximin e matësit të energjisë, i cili kryhet pa praninë e konsumatorit.
ShkeljaSipas ZMK-së, dëmi që OSSH i ka shkaktuar konsumatorëve në mënyrë tinëzare është jo vetëm i rëndë, por dhe i shëmtuar, pasi është përdorur mashtrimi kompjuterik, duke abuzuar pikërisht me mungesën e mekanizmave mbikëqyrës shtetërorë në sistem. Sipas ZKM gabimin më të madh po e bën ERE, i cili në një mënyrë të çuditshme po kërkon dëmshpërblim për konsumatorët, duke mos marrë iniciativën që i njeh ligji dhe të mbrojë konsumatorët duke ndjekur rrugë penale. Fakti që OSSH ka kryer një vepër të pastër penale e motivon ZKM që të kërkojë masa sipas ligjit për të gjithë përgjegjësit e kësaj çështjeje.
#