E Diel, 1 Nëntor 2026

Bill Klintoni në Phenian dhe politika e jashtme amerikane

Autori i Lajmit: red.
Elizabeth Lee

Ish-presidenti Bill Klinton bëri një vizitë të papritur të martën në Korenë e Veriut, ku u takua me udhëheqësin e atij vendi për të siguruar lirimin e dy gazetareve të burgosura amerikane. Megjithëse administrata e presidentit Obama këmbëngul se kjo ishte një vizitë private humanitare, disa kritikë e shikojnë atë si një zbutje të politikës amerikane ndaj Koresë së Veriut. Por cilat do të jenë implikimet politike të vizitës së ish-presidentit Klinton në Korenë e Veriut? Ky mund të jetë fundi i një tmerri për dy gazetaret amerikane, por vizita e presidentit Bill Klinton, që çoi në lirimin e tyre, shënon fillimin e një sfide shumë më të madhe mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Vizita e zotit Klinton bëhet në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar po i bëjnë presion Koresë së Veriut, duke vendosur sanksione strikte, pasi ky shtet komunist kreu një provë bërthamore, testoi disa raketa balistike dhe braktisi bisedimet 6-palëshe për çarmatimin bërthamor. Eksperti i çështjeve aziatike, Peter Brookes paralajmëron se vizita e ish-presidentit Klinton mund të shikohet si zbutje e politikës amerikane ndaj Koresë së Veriut. “Nuk ka dënim për veprimet e koreanoveriorëve. Ne mund ta gjejmë veten në një situatë si të thuash të rrezikut moral, duke shpërblyer sjellje negative. Dhe kjo do të ndodhë përsëri në të ardhmen”. Por analisti për çështjet e Azisë Lindore, Dennis Wilder, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kishin rrugë tjetër. “Vendimi që zoti Klinton të shkonte atje ishte rruga e duhur, sepse ai solli me vete dy gazetaret. Dhe si qytetar privat me mision humanitar, ky ishte një veprim shumë pozitiv”. Zoti Wilder thotë se Koreja e Veriut është përpjekur të gjejë mënyra për të ulur presionin e krijuar nga sanksionet dhe i shfrytëzoi si pengje gazetaret Laura Ling dhe Euna Lee. “Nuk ka dyshim se ato u bënë një mjet negocimi. Kim Jong Li kurrë nuk pati synimin t i mbante në burg dy gazetaret, megjithëse i dënoi ato me 12 vjet burgim”. Administrata e presidentit Obama është distancuar nga udhëtimi i zotit Klinton, duke insistuar se kjo nuk ishte një vizitë zyrtare e Shtëpisë së Bardhë. “Ne përfunduam me sukses një mision humanitar. Ky ishte një mision privat”. Por analisti Dennis Wilder thotë se lidhjet e Bill Klintonit me administratën nuk mund të injorohen. “Fakti që Bill Klintoni nuk është vetëm anëtar i Partisë Demokratike dhe ish- president i Shteteve të Bashkuara, por edhe bashkëshorti i Sekretares së tanishme të Shtetit, tregon se ai ka shumë lidhje me administratën dhe nuk është thjesht një qytetar privat amerikan”. Kritikët thonë se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë tashmë Koresë së Veriut dy gjëra që ajo kërkoi: vizitë nga një zyrtar i lartë amerikan dhe një falje nga administrata. Muajin e kaluar, Sekretarja Klinton kërkoi falje gjatë një takimi me qytetarët amerikanë.
“Mendoj se çdo kujt i vjen keq që kjo ndodhi”. Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Vizita e fundit e një zyrtari amerikan në Korenë e Veriut ishte gjatë administratës së presidentit Klinton para 9 vjetësh. Ekspertët thonë se Koreja e Veriut po përpiqet të krijojë përsëri lidhje me Shtetet e Bashkuara tani që në Shtëpinë e Bardhë është një president i ri. Komuniteti ndërkombëtar do të ndjekë nga afër politikën e presidentit Obama ndaj shtetit komunist dhe nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë politikën e vijës së ashpër ndaj Koresë së Veriut.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›